Një nga personat që u arrestua sot me ish ministrin Beqaj është edhe Ermal Kurtulaj.
Kurtulaj është personi kyç në përgjimet e SPAK del duke shpërdoruar detyrën me qëllim përfitimin e parave nga programet e BE. Kurtulaj ishte i punësuar si Koordinator i projektit EUSAIR që menaxhohej nga Agjencia e drejtuar prej Ilir Beqajt. Më parë ai ka mbajtur funksione të tjera publike në institucionet në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë, si dhe ka qenë drejtor në kompaninë e Ilir Beqajt, “INTECH+”.
Ilir Beqaj pranoi njohjen dhe miqësinë e hershme me Kurtulaj. Vartësi i Beqajt dyshohet si personi kyç që bënte pazaret me faturat fiktive për llogari të Ilir Beqajt dhe personi që de fakto administronte restorantin “Gzona”, një biznes nga i cili ish-ministri i Shëndetësisë dhe bashkëshortja e tij ishin larguar formalisht në vitin 2020.
Sipas SPAK, personi nën hetim, Ermal Kurtulaj, i punësuar si koordinotator i projektit “Eusair Facility Point” gjatë ushtrimit të detyrës ka kryer veprime të kundraligjshme duke u përfshirë në veprime korruptive për qëllime përfitimi.
Në një komunikim telefonik me shtetasin Genci Shurdho, Kurtulaj i ka kërkuar atij të faturojë një pagesë prej 35,200 euro për një shërbim që dyshohet se nuk është kryer.
“Po më duhet një përgjigje tashi shpejt që ta di se duhet, ikën Iliri (Beqaj) dhe duhet të firmos ca letra prandaj po them”, i thotë Ermal Kurtulaj personit Genci Shurdho në një bisedë të përgjuar.
Prej kësaj bisede thotë SPAK të krijohet dyshimi se fatura do të jetë thjesht fiktive për të justifikuar shpenzimin e shumës 35,200 euro. Por shtetasi Genci Shurdho nuk ka mundur t’ja lëshojë këtë faturë, të cilën Ermal Kurtulaj e ka siguruar në kompaninë “Nine Services Int” Sh.p.k me administrator dhe ortak të vetëm shtetasin Elton Marini.
Siç rezulton më pas në biseda të tjera të përgjuara gjatë periudhës gusht-shtator 2023, Ermal Kurtulaj i thotë se i duhen edhe fatura të tjera. Në 20 nëntor 2023 është lëshuar një tjetër faturë me vlerë 16,600 euro nga kompania e shtetasit Elton Marini.
Pjesë e skemës sipas dosjes së SPAK është edhe personi fizik Bledar Leka, i cili ka lëshuar një faturë me vlerë 20,000 euro për llogari të “Eusair Facility Point” dhe është kapur në përgjime me vartësin e sekserin e Ilir Beqes, Ermal Kurtulaj.
“Bëje içik atë faturën sot. Do ta çoj niptin me foto dhe te kontrata dhe ca përshkrimesh, si do e shkruajmë etj”, thuhet në një bisedë të përgjuar mes tyre. Po kështu në një tjetër bisedë të përgjuar nga SPAK, Ermal Kurtulaj pyet shtetasin Bledar Leka: “Atë tënden nga 15 po ta bëjmë 20, e bën dot ti apo jo? … e pastaj hë se duam ta bëjmë 20 që të kena mundësinë për me mbyll ca gjona të tjera me atë meqënëse ti je pa TVSH apo jo?”
Në vijim të bisedave për fatura të tjera fiktive për punime/shërbime të pakryera thotë SPAK, Ermal Kurtulaj i kërkon në nëntor një tjetër faturë shtetasit Bledar Leka. “Ke hapësirë për të bo i gjo nja 900 euro shërbim konsulence pagesë kesh”, pyet Kurtulaj në një tjetër bisedë të përgjuar.
Sekseri Ermal Kurtulaj i cili dyshohet se vepron për llogari të Ilir Beqajt sipas dosjes së SPAK, rezulton edhe si drejtues e i punësuar i një shoqate me emrin “Good Health”, përmes së cilës kryen lëvizje parash për shërbime të pakryera.
Punonjësja e SASPAC, Mira Topçiu, në këtë rast si person fizik, i faturon kolegut të saj në po këtë agjenci, fatura për shërbime konsulence me vlerë disa mijë euro.
Siç rezulton nga veprimet e kryera ndërmjet subjekteve, por edhe në komunikimet që kryhen ndërmjet Mira Topçiut, Bjona Ziaj, Dhurata Thanasi dhe Ermal Kurtulaj, ata kërkojnë sigurimin e faturave me qëllim përfitimin e shumave nga këto subjekte thuhet në dosjen e SPAK. Bëhet fjalë për një event të datës 1 nëntor 2023, ku Mira Topçiu komunikon me Bjona Ziun të cilës i kërkon të lëshojë një faturë.
“Nga personi jot fizik më duhet komplet për cështje pune se spo dime se si do e rregullojmë ngaqë do paguajmë këtë eventin e vizibilitetit nga programi ynë i Kosovës. Hëme duhet një person që të më lëshojë nji faturë. Domethënë nji person që do na bëjë qeranë neve, na ka ca lekë borxh”, thotë Mira Topçiu në bisedën e përgjuar nga SPAK.
Kurtulaj është njohje e vjetër e Ilir Beqajt dhe njeri i besuar i tij, aq sa edhe makina me të cilën Beqaj udhëton figuron në emer të vartësit të tij.
Po kështu sipas përgjimeve rezulton se Ermal Kurtulaj sillet e vepron si administrator i kompanisë që zotëron restorant “Gzona”, ku Beqaj ishte para disa vitesh aksioner bashkë me bashkëshorten e tij e ku vijon të çojë para për dreka e darka përmes agjencisë që drejtonte.