Vendosni fjalën kyçe....

Kuvendi nuk miraton kandidatët për KLGJ e KLP


Kuvendi votoi në seancën e sotme pikat e rendit të ditës, por kandidatët e përzgjedhur në raundin e dytë për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë nuk u miratuan.

Erind Mërkuri dhe Albens Tabaku për KLGJ, si dhe Artan Reci dhe Bledar Bajri për KLP, nuk arritën të sigurojnë 84 votat e nevojshme.

Kuvendi miratoi me votat e shumicës ligjet dhe rezolutat e rendit të ditës. Projektvendimi “Për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor nga radhët e avokatëve sipas ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë” (raundi i dytë) mori 67 vota pro, 3 kundër dhe 1 abstenim.

Po ashtu, me 65 vota pro, asnjë kundër dhe 2 abstenime, nuk u miratua as Projektvendimi “Për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë nga radhët e avokatëve sipas ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë” (raundi i dytë).