Ilir Meta ka komentuar arrestimin e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i cili u ndalua me urdhër të SPAK për abuzim me fondet e Bashkimit Europian gjatë drejtimit të Agjencisë për Koordinimin e Ndihmave Europiane.
Meta kritikoi ashpër sistemin e korruptuar, duke thënë se korrupsioni është aq i tmerrshëm sa edhe fondet e BE-së për bujqësinë janë vjedhur. Ai theksoi se arrestimi i Ilir Beqajt dhe i ish-ministrave të tjerë vetëm rrit nivelin e korrupsionit të Edi Ramës, duke lënë thelbin e sistemit të paprekur dhe duke sakrifikuar “koka turku”.
Meta gjithashtu akuzoi Ramën për përdorimin e arrestimeve të mjekëve dhe infermierëve për të shfryrë pakënaqësinë publike.
“Korrupsion i tmerrshëm në këtë sistem, aq sa u pranua se këtu janë vjedhur edhe fondet e BE, u pranua me shumë vonesë se janë vjedhur fondet e BE për bujqësinë. Të gjithë e kuptojnë çfarë ndodh me taksat dhe koncesionet që vjedh Rama.
Sa i takon arrestimit të Beqajt, sa më shumë ish-ministra apo ministra arreston, aq në progresion gjeometrik shkon korrupsioni i Ramës.
Thelbi i sistemit, mbetet i paprekur, thjesht priten disa koka turku në bazë të regjive të Ramës. Jemi vendi i parë në botë për korrupsion, i dytë për dhënien e rryshfetit.
Rama kërkon të shfryjë pakënaqësinë e qytetarëve duke arrestuar edhe mjekë dhe infermierë në forma spektakolare“, tha Meta.