Ushtria ukrainase është tërhequr nga një pjesë e Chasiv Yar në rajonin lindor të Donetsk, një ditë pasi Rusia tha se forcat e saj kishin marrë nën kontroll një lagje në qytetin strategjik të Ukrainës Lindore.
Nëse forcat ruse vendosin kontroll të plotë mbi qytetin, ata mund ta përdorin atë si një stacion për të avancuar në perëndim drejt qyteteve ukrainase.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë bëri me dije se forcat e saj kishin marrë kontrollin e zonave kryesore të Donbas. Ekspertët besojnë se Moska përfitoi nga mungesat akute të municioneve të Kievit për shkak të vonesave në ndihmën ushtarake perëndimore në gjysmën e parë të këtij viti, duke u përpjekur të depërtonte linjat mbrojtëse të Ukrainës së bashku me vijën e frontit lindor. Madje Rusia nisi një ofensivë të befasishme ndërkufitare në Ukrainën veriore me qëllim që të detyronte Kievin të tërhiqte disa trupa nga lindja.
Sakaq, përparimi rus në frontin e luftës ka bërë që presidenti rus, Vladimir Putin të ndryshojë komplet mendim për paqen me Ukrainën. Në një konferencë për shtyp, shefi i Kremlinit hodhi poshtë propozimin për një armëpushim me Ukrainën në vijën e frontit. Putin kërkoi rifillimin e negociatave për paqe, thënë kjo, Putin shpreson të marrë në tavolinë territoret e pushtuara gjatë dy viteve luftë.
“Ne thjesht nuk mund të shpallim një armëpushim tani me shpresën se pala tjetër do të ndërmarrë disa hapa pozitive. Është e nevojshme të sigurohet që Ukraina të pranojë hapa që janë të pakthyeshëm dhe në të njëjtën kohë të pranueshëm për Rusinë. Ne nuk mund të lejojmë që armiku të përfitojë nga ky armëpushim për të përmirësuar pozicionin e tij: të riarmatoset, të riorganizojë forcën e tij përmes mobilizimit të detyruar dhe të përgatitet për të vazhduar konfliktin e armatosur”, tha Putin.
Putin komentoi edhe planin e Donald Trump për dhënien fund të luftës në Ukrainë, duke i konsideruar ato të sinqerta.
“Kam parë disa fragmente – por jam tepër i zënë me punët e mia. Kështu që nuk e ndjek atë që po ndodh atje, veçanërisht komentet e mediave. Ata gjithmonë kanë preferenca të caktuara, disa janë pro, disa janë kundër. Ju e dini se zoti Trump, si kandidat presidencial, deklaron se është gati dhe dëshiron të ndalojë luftën në Ukrainë. Ne e marrim këtë shumë seriozisht. Nuk jam njohur, me propozimet e tij të mundshme se si ai planifikon ta bëje këtë dhe kjo, natyrisht, është pyetja kryesore, por nuk kam dyshim se ai po e thotë këtë sinqerisht, dhe ne e mbështesim këtë’, përfundoi kreu i Kremlinit.
Vladimir Putin tha se kishte parë fragmente të debatit për garën presidenciale midis Joe Biden dhe Donald Trump, por nuk pranoi të komentojë dhe shtoi se Shtetet e Bashkuara mbetën një fuqi e madhe.