Vendosni fjalën kyçe....

Dekretimi i zgjedhjeve në Himarë/ Presidenca sqaron pse nuk u prit afati për ankimimin e vendimit të KQZ-së


Presidenca shpjegoi arsyet përse nuk priti afati prej 30 ditësh që Fredi Beleri kishte për të ankimuar vendimin e KQZ-së për heqjen e mandatit para se të dekretojë datën për zgjedhjet e reja në Himarë.

Sipas sistemit ligjor shqiptar, në rast vakancash, Presidenti i Republikës duhet të vepronte menjëherë pas njoftimit, duke patur 48 orë për të marrë veprime të nevojshme.

Presidenca gjithashtu thekson se dekretimi i datës së zgjedhjeve të reja nuk e pengon Belerin të ankimojë vendimin e KQZ-së, duke përdorur procedurat e duhura në institucionet përkatëse.

Reagimi i plotë:

Presidenti i Republikes caktoi datën e zgjedhjeve pasi u njoftua zyrtarisht për vakancën e krijuar. Presidenti i Republikës nuk është organi që konstaton vakancën, sikurse nuk merr në shqyrtim procedurën që i ka paraprirë asaj dhe as është instancë e ankimit administrativ.

Presidenti vihet në levizje me njoftim. Në sistemin ligjor shqiptar ka vetëm një rrugë ligjore për vënien në lëvizje të Presidentit të Republikës, në rastin e vakancave në qeverisjen vendore. Kjo rrugë është rruga e njoftimit nga Këshilli i Ministrave.

Për të shqyrtuar çështjen Presidenti ka në dispozicion vetëm 48 orë.

Zgjedhjet e pjeseshme zhvillohen sipas një kalendari të ngushtë ligjor. Afatet ligjore janë detyruese.

Procedura për caktimin e datës së zgjedhjeve dhe procedura për ankimimin e akteve administrative janë që të dyja ligjore dhe bashkëjetojnë me njëra tjetrën. Në rast se midis tyre krijohen përplasje, atëherë është gjykata kompetente që ka fuqinë të zgjidhë përplasjen.

Mjetet ligjore për mbrojtjen e interesave të ligjshme nuk shfuqizohen nga procedura e dekretimit të zgjedhjeve.