Vendosni fjalën kyçe....

Fredi Beleri në KQZ, vendoset sot për mandatin si kryebashkiak i Himarës


Fredi Beleri është shoqëruar me makinën e burgjeve në KQZ ku do të vendoset nëse do t’i hiqet mandati I kryetarit të bashkisë së Himarës.

Ai është shoqëruar nga forcat e policisë së burgjeve nga burgu i Fierit ku dhe vuan dënimin.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shtyu për sot shqyrtimin në lidhje me mandatin e Fredi Belerit, i cili u dënua përfundimisht nga Apeli me 2 vite burgim për blerje votash në Himarë.

Beleri kërkoi që të ishte i pranishëm në këtë mbledhje për të dhënë argumentet e tij dhe kërkesa u pranua dje nga Ilirjan Celibashi .

Heqja e mandatit të Fredi Belerit do t’i japë fund ‘Odisesë’ në Bashkisë së Himarës. Pas vendimit të KQZ do të jetë Presidenti Bajram Begaj që të shpallë datën e re të zgjedhjeve. Kreu i shtetit sipas Kodit Zgjedhor menjëherë pas njoftimit duhet të shpallë zgjedhjet e parakohshme jo më parë se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë nga shpallja e vakancës.

Fredi Beleri u arrestua në flagrancë teksa bënte pazare për votat vetëm 2 ditë para zgjedhjeve vendore të 14 majit të 2023. Ai i fitoi zgjedhjet nga burgu me një diferencë të lehtë votash, më pak se 20 vota, por për shkak të arrestit nuk mundi të ulej asnjë ditë në karrigen e kryebashkiakut dhe as të bënte betimin. 

Mandatin vijoi ta mbante kryebashkiaku në detyrë Jorgo Goro deri më 23 mars, kur po ashtu u arrestua me urdhër të SPAK pas një kallëzimi që Fredi Beleri kishte bërë për të për pronat në Himarë. Më pas detyrën e drejtimit të bashkisë e mori përkohësisht Blerina Bala ndërsa aktualisht Himara drejtohet nga nënkryetari i Bashkisë Arqile Bollano.