Partia spanjolle e ekstremit të djathtë, Vox, ka njoftuar largimin e saj nga grupi i Konservatorëve dhe Reformistëve Evropianë (ECR) në Parlamentin Evropian për t’iu bashkuar aleancës së re të udhëhequr nga kryeministri hungarez, Viktor Orban. Kjo lëvizje është një goditje për shpresat e kryeministres italiane, Giorgia Meloni, për të bërë ECR-në grupin e tretë më të madh parlamentar dhe për të udhëhequr opozitën, që përbëhet nga konservatorët e moderuar, socialdemokratët dhe liberalët.
“Forcat patriotike që kanë rritur praninë e tyre në PE kanë një mundësi historike për ta shndërruar mandatin e votuesve në një grup të madh që mund të bëhet një alternativë ndaj koalicionit midis qendrës së djathtë, socialistëve dhe të majtës ekstreme,” tha Vox në një deklaratë.
Partia theksoi se grupi i propozuar nga Orbani, i quajtur “Patriotët për Evropën,” i përgjigjet mesazhit të atyre që kërkojnë “një ndryshim rrënjësor dhe urgjent të kursit” për BE. Lideri i Vox, Santiago Abascal, në një intervistë për gazetën La Gaceta, deklaroi se partia Vëllezërit e Italisë e Melonit “gjithmonë do të jetë partnere, mike dhe aleate e Vox,” dhe falënderoi partinë për Ligj dhe Drejtësi të Polonisë për rolin e saj si “pararojë të luftës së patriotëve në Evropë.”
Partia Fidesz e Orbanit ka bashkuar forcat me Partinë e Lirisë nga Austria, partinë populiste çeke ANO dhe Chega nga Portugalia në këtë platformë të re. Sipas rregullave të Parlamentit Evropian, një grup parlamentar duhet të përfshijë parti nga të paktën shtatë shtete anëtare, prandaj “Patriotët për Evropën” duhet të bindin partnerë nga dy shtete të tjera për t’u bashkuar me ta për të formuar zyrtarisht grupin parlamentar.
Ende nuk është e qartë nëse Tubimi Kombëtar i Marine Le Pen, që fitoi në rundin e parë të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Francë javën e kaluar, do t’i bashkohet grupit. Në zgjedhjet evropiane të mbajtura në qershor, partitë e ekstremit të djathtë u rritën dhe Vox dyfishoi numrin e ulëseve në gjashtë.