Sali Berisha reagoi ndaj heqjes së mandatit të Fredi Belerit si kryetar i bashkisë së Himarës.
Ai akuzoi se vendimi për të hequr mandatin e Belerit dhe shpallja e zgjedhjeve u morën brenda tre orëve, me urdhër të Edi Ramës, pa pritur dhe duke mohuar të drejtën e Belerit për të ankuar në gjykatë.
Ish-kryeministri bëri thirrje për pjesëmarrje në protestën para Kryeministrisë, e cila është planifikuar të zhvillohet më 11 korrik.
“Miqtë e mi, sot diktatura e bazuar në krimin, drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve nxori fytyrën dhe shëmtinë e vet më të madhe.
Brenda tre orëve, me urdhër të Edi Ramës, KQZ dhe presidenti vendosën t’i marrin mandatin Belerit dhe shpallën zgjedhje, duke mos pritur, duke mohuar të drejtën e ankesës në gjykatë.
Të drejtën e ankesës në KAS.
Imagjinoni këtë bir xhelati, nëse do ishin ligjet e vjetra, ky nuk do i linte njerëzit të bënin apel, por do i pushkatonte me vendimin e parë.
Ky është shteti i karnavalit. Këtë shtet duhet ta përmbysim një ditë e më parë. Një minutë e më parë!
11 korriku është dita e fuqisë tonë. Është dita e mosbindjes sonë civile. Është dita e triumfit tonë. Është dita që hap dyert për qeveri teknike, zgjedhje të lira dhe të ndershme fitoren e opozitës.
Rrofshi ju, rroftë Shqipëria.
Fitore, fitore, fitore!”, tha Berisha.