Vendosni fjalën kyçe....

Zgjedhjet në Britani/ Laburistët dërrmojnë Konservatorët, rikthehen në pushtet pas 14 vitesh


Keir Starmer u zotua të sjellë ndryshime në Britani si kryeministër i ardhshëm i saj, pasi Partia Laburiste arriti një fitore të plotë në zgjedhjet parlamentare të së premtes, duke i dhënë fund qeverisjes 14-vjeçare të konservatorëve, shpeshherë jo pak e trazuar.

Laburistët e qendrës së majtë kanë fituar një shumicë cilësuese në parlamentin prej 650 vendesh me konservatorët e Rishi Sunak që pritet  të kenë  pësuar humbjen më të thellë në historinë e gjatë të parties, pasi votuesit i ndëshkuan për krizën e kostos së jetesës, dështimin e shërbimeve publike dhe seri të shumta skandalesh.

“Ndryshimi fillon tani,” tha Starmer pas fitores.

“Ne thamë se do t’i japim fund kaosit dhe do ta bëjmë, thamë se do kthejmë faqen dhe e kemi bërë. Sot, ne fillojmë kapitullin tjetër, fillojmë punën e ndryshimit, misionin e rinovimit kombëtar dhe fillojmë të rindërtojmë vendin tonë.”

Sunak kishte pranuar më parë humbjen dhe tha se kishte telefonuar Starmer për ta uruar për fitoren e tij.

“Sot pushteti do ndryshojë duar në një mënyrë paqësore dhe të rregullt, me vullnet të mirë nga të gjitha anët,” tha Sunak pasi rifitoi vendin si deputet.

“Ka shumë për të mësuar dhe reflektuar dhe unë marr përgjegjësinë për humbjen ndaj shumë kandidatëve të mirë punëtorë konservatorë…Më vjen keq.”

Pavarësisht fitores bindëse, sondazhet kanë sugjeruar se ka pak entuziazëm për Starmer ose partinë e tij dhe ai vjen në pushtet në një kohë kur vendi po përballet me një sërë sfidash të frikshme.

Barra tatimore e Britanisë pritet të arrijë më të lartën që nga Lufta e Dytë Botërore, borxhi neto është pothuajse i barabartë me prodhimin vjetor ekonomik, standardet e jetesës kanë rënë dhe shërbimet publike po fusin ujë, veçanërisht Shërbimi Kombëtar Shëndetësor, i cili është goditur nga grevat e shumëëfishta.

Atij tashmë i është dashur të zvogëlojë disa nga planet më ambicioze të laburistëve, siç janë premtimet e tyre kryesore për shpenzimet e gjelbërta, ndërkohë që ai ka premtuar të mos rrisë taksat për “njerëzit që punojnë”.

“Unë nuk ju premtoj se do jetë e lehtë,” tha Starmer.

“Të ndryshosh një vend nuk është si të rrotullosh një çelës. Është punë e vështirë. Duhet të jemi të durueshëm, të vendosur, të punojmë fort dhe do duhet të lëvizim menjëherë.”

Rritja e Nigel Farage

Pjesa më e madhe e dëmit ndaj mbështetjes konservatore u shkaktua nga partia populiste e krahut të djathtë “Të Reformojmë Mbretërinë e Bashkuar”, e kryesuar nga aktivisti i Brexit Nigel Farage, i cili kishte bërë fushatë të fuqishme për frenimin e emigracionit.

Starmer ka premtuar të anulojë politikën e diskutueshme të konservatorëve për dërgimin e azilkërkuesve në Ruandë, por me emigrimin një çështje kyçe elektorale, ai do jetë nën presion e tij për të gjetur një zgjidhje për të ndaluar dhjetëra mijëra njerëz që mbërrijnë përtej Kanalit nga Franca me varka të vogla.

Brenda Partisë Konservatore, akuzat dhe debati mbi drejtimin e saj të ardhshëm filluan menjëherë, me disa që thanë se dështimi i saj erdhi nga braktisja e qendrës, ndërsa të tjerë argumentuan se Reforma e Farage kishte fituar votuesit që mendonin se partia konservatore kishte braktisur rrënjët e saj.

Reforma ka marrë katër vende, me vetë Farage që më në fund u zgjodh në parlament në përpjekjen e tij të tetë dhe fitoi më shumë vota se konservatorët në gjithë vendin.

“Ka një boshllëk të madh në qendrën e djathtë të politikës britanike dhe detyra ime është ta mbush atë, dhe kjo është pikërisht ajo që unë do bëj,” tha Farage triumfues.

“Më besoni, njerëz, ky është vetëm hapi i parë i diçkaje që do t’ju mahnitë të gjithëve.”

Rritja e mbështetjes për një alternativë populiste u bëri jehonë rezultateve të ngjashme të fundit në Evropë, ku e djathta ekstreme ka qenë në rritje.

Por, ndryshe nga Franca, ku partia Rally Kombëtare e Marine Le Pen-it arriti fitore historike në zgjedhjet e së dielës së kaluar, në përgjithësi publiku britanik po kërkon që një parti e qendrës së majtë të sjellë ndryshim.

Starmer ka premtuar të përmirësojë marrëdhëniet me Bashkimin Evropian për të zgjidhur çështjet e krijuara nga Brexit, ndërkohë që politikanët e ekstremit të djathtë po shijojnë suksesin. Megjithatë, pavarësisht kundërshtimit të Brexit-it, ribashkimi me BE-në nuk është në tryezë.

Ai gjithashtu mund të duhet të punojë me Donald Trump-in në Shtetet e Bashkuara nëse ai fiton zgjedhjet presidenciale të nëntorit. Trump tashmë i ka dërguar urimet e tij mikut dhe mbështetësit të tij Farage, përmes platformës së tij të mediave sociale Truth Social.

Ndërsa ai ka premtuar të sjellë ndryshime brenda vendit, Starmer është zotuar të vijojë mbështetjen e qartë të Londrës për Ukrainën në luftën e saj kundër Rusisë. Për shumë çështje të jashtme, politikat e tij janë të ngjashme me ato të Sunak.

Kthimi

Fitorja e zgjedhjeve përfaqëson një kthesë të pabesueshme për Starmer dhe Laburistë, për të cilët kritikët dhe mbështetësit thanë se po përballej me një krizë ekzistenciale vetëm tre vjet më parë, kur dukej se kishte humbur rrugën pas përfundimit të saj në vitin 2019.

Por një seri skandalesh konservatore – më së shumti zbulimet e festave në Downing Street gjatë bllokimeve të pandemisë COVID19 – minuan kryeministrin e atëhershëm Boris Johnson dhe avantazhet e tij komanduese avulluan.

Kryeministria katastrofike gjashtëjavore e Liz Truss, e cila pasoi largimin e Johnson në fund të 2022, çimentoi rënien dhe Sunak nuk ishte në gjendje të bënte ndonjë pengesë në epërsinë tani komanduese të laburistëve.

Sunak habiti Westminster-in dhe shumë të tjerë në partinë e tij duke i thirrur zgjedhjet më herët se ç’duhej në maj, me konservatorët që mbetën pas laburistëve me rreth 20 pikë në sondazhet e opinionit dhe fushata e tij më pas doli një katastrofë.

“Ne e meritonim të humbnim. Partia Konservatore thjesht duket e rraskapitur dhe pa ide,” i tha Reuters Ed Costello, kryetari i organizatës Grassroots Conservatives, që përfaqëson anëtarë të rangut të lartë.

“Por nuk është i gjithë faji i Rishi Sunak. Janë Boris Johnson dhe Liz Truss që e kanë çuar partinë në katastrofë. Rishi Sunak është thjesht ai që pagoi faturën.”

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Reuters

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani