Hungaria ka anuluar një takim mes ministres së Jashtme gjermane Annalena Baerbock dhe ministrit të jashtëm hungarez Peter Szijjarto të planifikuar për 8 korrik në Budapest.
Baerbock nuk do të vizitojë Budapestin më 8 korrik, njoftuan mediat gjermane, duke cituar Ministrinë e Jashtme gjermane. Në një deklaratë zyrtare, Ministria e Jashtme theksoi se pala hungareze anuloi takimin me Szijjarto, duke shtuar se pala gjermane ishte e zhgënjyer nga anulimi, sipas AA.
“Një takim serioz dhe i ndershëm mes dy ministrave të jashtëm do të kishte qenë shumë i rëndësishëm në lidhje me vizitën e papritur dhe të pakoordinuar të kryeministrit Orban në Moskë”.
Kryeministri hungarez Viktor Orban vizitoi Moskën të premten dhe u takua me presidentin rus Vladimir Putin.
Vizita e Orbanit në Moskë, e para e tij që nga fillimi i luftës në Ukrainë, u kritikua nga presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel dhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë Josep Borrell.
Në lidhje me “misionin e paqes” të Orban në Moskë, Michel tha: “Presidenca e rradhës së BE-së nuk ka mandat të angazhohet me Rusinë në emër të BE-së.”
Borrell deklaroi gjithashtu se Orban nuk përfaqësonte BE-në në asnjë mënyrë.