Vendosni fjalën kyçe....

Kamionët hyjnë në tunelin e Llogarasë pa siguruar ngarkesat, gjobitet pronari


Policia Rrugore e Vlorës ka gjobitur pronarin e dy kamionëve me dy masa administrative prej 13,000 lekë secila.

Ky veprim erdhi pasi shoferët e kamionëve u kapën nga kamerat e sigurisë duke qarkulluar në tunelin e Llogarasë pa siguruar ngarkesat dhe në kundërshtim me rregullat e qarkullimit për mjetet mbi 3.5 ton.

Policia Rrugore e Vlorës bën thirrje për të gjithë drejtuesit e mjeteve të rënda që të respektojnë kufizimet e qarkullimit jashtë qendrave të banuara dhe të zbatojnë rregullat dhe oraret e vendosura me rigorozitet.

Njoftimi i policisë: 

Policia Rrugore e Vlorës, e pranishme 24/7, në të gjitha akset rrugore dhe në qendrat e qyteteve të qarkut, për garantimin e sigurisë rrugore. 

Gjatë monitorimit të pandërprerë në akset rrugore, identifikohet dhe ndëshkohet administrativisht pronari i dy kamioneve, drejtuesit e të cilëve në kundërshtim me kufizimet për lëvizjen e mjeteve të rënda qarkulluan në tunelin e Llogarasë me ngarkesa të pasigurara. 

Policia Rrugore e Vlorës ka ndëshkuar me 2 masa administrative prej 13000 lekë secila, pronarin e dy mjeteve kamion, shtetasin L. D, drejtuesit e të cilëve janë konstatuar gjatë monitorimit në kamerat e sigurisë duke qarkulluar në tunelin e Llogarasë pa siguruar ngarkesat e tyre, si dhe duke lëvizur në kundërshtim me rregullat e përcaktuara për qarkullimin e mjeteve mbi 3.5 Ton. 

Kontrollet e shtuara nga Policia do të vijojnë në të gjitha akset rrugore urbane, interurbane dhe rurale, si edhe duke përdorur të gjitha mjetet bashkëkohore logjistike, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore. 

Policia Rrugore e Vlorës apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve të rënda të respektojnë kufizimet për qarkullimin e mjeteve jashtë qendrave të banuara dhe të zbatojnë me rigorozitet rregullat dhe oraret e vendosura. 

Ftojmë qytetarët që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 çdo shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.