Vendosni fjalën kyçe....

Ekstradimi i Arben Ahmetajt, hetimi i Berishës, “21 Janari” e “Xibraka”, Altin Dumani flet me gazetarët për dosjet e nxehta të SPAK-ut


Kreu i SPAK-ut Altin Dumani ka dhënë sot shpjegime për disa nga çështjet më të nxehta që po hetohen nga institucioni i drejtuar prej tij.

Në një takim informal me gazetarët ai u është përgjgjur pyetjeve lidhur me dosjet e inxeneratorëve, laboratorit të kokainës në XIbrakë, deklaratave të ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj në median italiane Rai3, dosjes së mikrokredive dhe asaj Patizani, për të cilën janë në arrest shtëpi ish-kryeministri e kreu i PD-së Sali Berisha e dhëndri i tij Jamarbër Malltezi.

Deklaratat e Arben Ahmetajt

Gjatë takimit me gazetarët ai u pyet për çështjen e Arben Ahmetajt dhe ekstradimin e tij ku tha se  Prokuroria e Posaçme është në pritje të përgjigjes për kërkesën për ekstradim të ish zv. kryeministrit.

Altin Dumani u shpreh se procedura zgjat, ndërsa nuk pranoi të komentojë nëse Ahmetaj ka bërë kërkesë për azil.

“Që ditën që kemi bërë kërkesën për ekstradim jemi në pritje”, tha kreu i SPAK.

Lidhur me akuzat e ish-zyrtarit të PS-së në emisionin investigativ “Reporter” të “Rai3”, Altin Dumani theksoi: “Lidhur me inceneratorët, çështja është nën hetim. Edhe deklaratat e dhëna nga personi në fjalë po vlerësohen. Ka persona të hetuar, të arrestuar, një ndër ta është zoti Ahmetaj”.

Dosja “Partizani”

Lidhur me dosjen ‘Partizani’ për të cilën po hetohet ish-kryeministri Sali Berisha, kreu i SPAK  theksoi se çështja “Partizan” është në hetim e sipër dhe se do t’i dorëzohet gjykatës kur hetimet të jenë mbyllur plotësisht.

“Kur të përfundojnë hetimet plotësisht, dosja do t’i dorëzohet gjykatës. Janë grumbulluar provat dhe i takon prokurorëve të çështjes të vlerësojnë edhe sa do të zgjasë hetim”, tha ai.

Dekonspirim të aksioneve nga SPAK

Drejtuesi i Prokurorisë së Posacme, Altin Dumani ka konfirmuar se ka hetim për dekonspirime të operacioneve të SPAK.

“Ka hetime për dekonspirim të opercioneve tona”, tha Dumani gjatë një takimi me gazetarët.

Ndër të tjera Dumani u ndal tek se sa persona të hetuar nga Prokuroria e Posaçme dyshohet se gjenden në Dubai. 

Dumani u shpreh se SPAK ka nën hetim të  shtatë personave që dyshohet se ndodhen atje, por nuk zbuloi emra konkretë, duke mos penguar kështu hetimin.

I pyetur se a  ka bërë SPAK një skanim sa persona janë në kërkim dhe strehohen në Dubai, Dumani tha se: “Po për llogarinë e SPAK janë shtatë persona që dyshohen se gjenden në Dubai”.

Mashtrimi me Mikrokreditë

Kreu i SPAK, Altin Dumani është pyetur në lidhje me skemat e mashtrimit me mikro kreditë, ku refuzoi të bënte komente.

 Ndërkohë që shprehu keqardhje për tragjedinë me Pal Trashaj që ndodhi në ambientet e SPAK.

“Ne kemi vetëm një çështje të regjistruar, por nuk hetojmë rastet e qytetarëve që janë mashtruar. Kemi vetëm një hetim për një objekt konkret. Nuk bëj komente. Realisht na vjen keq për qytetarët që përplasen ne dyert tona dhe për ata persona që vijnë për çështje të ndryshme që nuk janë në kompetencën tonë. Shpreh keqardhjen për atë që ndodhi para dyerve të SPAK. Ka kërkesa të shumta nga qytetarë, ligji na e ka përcaktuar qartë”- tha Dumani.

Çështja e “21 Janarit”

Gjithashtu kreu i SPAK ka folur edhe për çështjen e 21 Janarit, ku tha se SPAK është i detyruar të regjistrojë hetim penal  për “21 Janarin”.

“Jemi të detyruar të zbatojmë vendimin e Gjykatës së Lartë. Kur të vijnë aktet do të regjistrojmë hetimin penal. Do të shihet në vijim edhe bashkëpunimi me Prokurorinë e Tiranës”, tha Dumani.

Reagimi vjen pak ditë pasi Gjykata e Lartë zbardhi arsyetimin e vendimit përmes të cilit urdhëron Prokurorinë e Posaçme, SPAK, të hetojë dosjen “21 Janari”.

Deklaratat e Metës

Kreu i SPAK, ndër të tjera është pyetur edhe për deklaratat që presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka bërë ndaj tij.

“Nuk kam asnjë koment për deklaratat e bëra nga ish-presidenti Ilir Meta”, tha ai, teksa shtoi se nuk mund të japë informacion për statusin e Metës dhe Monika Kryemadhit.

Dosja Xibraka 

Në lidhje me dosjen Xibraka dhe akuzat e Gazmend Bardhit ndaj Olsi Ramës, Dumani bëri me dije se është regjistruar procedim penal për çështjen e Xibrakës dhe informoi se Gazment Bardhi nuk ka bërë kallëzim.