Tetëdhejtë qytetarë të Bulqizës janë paraqitur të dielën në spitalin e Bulqizës me simptoma helmimi. Ende nuk është përcaktuar shkaku i helmimit, pasi rastet e paraqitura në spital vijnë nga zona të ndryshme të qytetit dhe jo vetëm nga një lagje apo fshat specifik.
Për të zbardhur këtë ngjarje, janë marrë analizat e ujit të pijshëm nga Njësia e kujdesit shëndetësor NJVKSH Bulqize se bashku me drejtorinë e ujësjellës kanalizimeve Dibër në 7 (shtatë) pika në disa zona të qytetit.
Personat e helmuar që kanë marrë mjekim në Spitalin e Bulqizës deklarojnë se kanë pasur dhimbje barku, të vjella dhe dhimbje koke. Shumë prej tyre dyshojnë se shkaku i helmimit është uji i pijshëm.
Protokolli i mjekimit nga mjeku i shërbimit spitalor ka qene Gastroenterit akut pra që përdoret në raste helmimi.
Në Lagjen e Re, prej më shumë se një viti po kryhen punime për rehabilitimin e ujërave të zeza. Një situatë e tillë është e përsëritur në Bulqizë dhe njësitë administrative përreth, pasi banorët kanë kërkuar ndihmë mjekësore në disa raste të mëparshme për shkak të helmimit nga uji.