Një spital për fëmijë në Kiev është goditur pasi Rusia nisi një valë sulmesh me raketa kundër qyteteve në të gjithë Ukrainën.
Dy persona vdiqën kur Spitali i Fëmijëve Ohmatdyt – objekti më i madh i pediatrisë në Ukrainë – pësoi dëme të mëdha gjatë shpërthimit.
Tridhjetë e gjashtë persona u vranë dhe 140 të tjerë u plagosën në sulmet, tha të hënën shefi i shtabit të Presidentit Volodymyr Zelensky, Andriy Yermak.
Lesia Lysytsia, një mjeke në spital, tha për BBC se momenti i goditjes së raketës ishte “si në një film” me një “dritë të madhe, pastaj një tingull të tmerrshëm”.
“Një pjesë e spitalit u shkatërrua dhe kishte një zjarr në një tjetër. Është me të vërtetë shumë i dëmtuar – ndoshta 60-70% e spitalit,” tha ajo.
Pamjet nga vendi i ngjarjes treguan fëmijë të vegjël , të ulur jashtë spitalit ndërsa ai u evakuua.
Vitaliy Klitschko, kryetari i bashkisë së Kievit, tha se të dy që vdiqën në spital ishin të rritur – njëri prej të cilëve ishte mjek. Ai shtoi se ekipet e shpëtimit kishin frikë se më shumë njerëz ishin bllokuar nën rrënoja.
Rusia ka mohuar se ka shënjestruar spitalin, duke thënë se ai është goditur nga fragmente të një rakete të mbrojtjes ajrore ukrainase. Por Ukraina thotë se ka gjetur mbetje të një rakete sulmi i ruse.