Vendosni fjalën kyçe....

Kuvendi i kërkon Gjykatës Kushtetuese rihapjen e shqyrtimit gjyqësor për mandatin e Olta Xhaçkës


Kuvendi i Shqipërisë i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese të rihapë shqyrtimin gjyqësor lidhur me mandatin e deputetes Olta Xhaçka, me qëllim kërkimin e një opinioni këshillimor (amicus curiae) nga Komisioni Evropian për Demokraci përmes Ligjit, i njohur si Komisioni i Venecias.

Shqyrtimi gjyqësor për mandatin e Olta Xhaçkës u mbyll më 25 qershor. Në dokumentin prej 7 faqesh që mban datën 8 korrik, shkruhet se është parë e nevojshme mendimi këshillimor nga Komisioni i Venecias për të adresuar pasiguritë juridike që janë krijuar.

“Ndodhur në kushtet kur krijohet një pasiguri juridike, se përse grupi prej jo më pak se 1/5 e deputetëve nuk mundet që të vendosë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese në kundërshtim me rendin kushtetues në fuqi, Kuvendi është i mendimit që duhet të kërkohet një mendim këshillimor nga ana e Komisionit të Venecias, dhe në lidhje me zbatueshmërinë e këtyre poarashikimeve kushtetuese dhe ligjore që lidhen me të drejtën e 1/5 së deputetëve të Kuvendit për të vendosur në lëvizje Kushtetuesen”, thuhet ndër të tjera në kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese e ka rrëzuar kërkesën e 1/5 së deputetëve të Rithemelimit për mandatin e Olta Xhaçkës, duke argumentuar se kjo çështje duhet të shkonte në Gjykatën Kushtetuese përmes një raporti të votuar nga Kuvendi.

Në vendimin e saj, Gjykata Kushtetuese urdhëroi Kuvendin që të shqyrtonte çështjen Xhaçka. Megjithatë, më 11 prill të këtij viti, me 72 vota, shumica rrëzoi kërkesën e opozitës për dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese.