Vendosni fjalën kyçe....

Përplasjet fatale, “Boeing” arrin marrëveshje fajësie në hetimin në SHBA


“Boeing” ka rënë dakord të pranojë fajin për një akuzë për komplot mashtrimi kriminal dhe të paguajë një gjobë prej 243.6 milionë dollarë për të zgjidhur një hetim të Departamentit të Drejtësisë për dy përplasje fatale të avionëve “737 MAX”, tha qeveria në një dosje gjyqësore të dielën.

Marrëveshja për pranimin e fajësisë, që kërkon miratimin e një gjyqtari, do e cilësonte prodhuesin e avionëve kriminel të dënuar në lidhje me përplasjet në Indonezi dhe Etiopi gjatë një periudhe pesëmujore në 2018 dhe 2019 që vranë 346 njerëz.

Marrëveshja tërhoqi kritika të shpejta nga familjet e viktimave që donin që “Boeing” të përballej me një gjyq dhe të vuante pasoja më të rënda financiare.

Shtytja e Departamentit të Drejtësisë (DD) për të fajësuar “Boeing”-un ka thelluar një krizë të vijueshme që ka përfshirë kompaninë që nga një shpërthim në janar 2024 gjatë fluturimit, që shfaqi problemet e vijueshme të sigurisë dhe cilësisë në prodhuesin e avionëve.

Një pranim fajësie kërcënon potencialisht aftësinë e kompanisë për të siguruar kontrata fitimprurëse qeveritare me Departamentin e Mbrojtjes të SHBA-së dhe NASA-n.

“Boeing” u ekspozua ndaj ndjekjes penale pasi Departamenti i Drejtësisë në maj zbuloi se kompania kishte shkelur një marrëveshje të vitit 2021 që përfshinte përplasjet fatale.

Megjithatë, pranimi i fajësisë i kursen “Boeing”-ut një gjyq të diskutueshëm që mund të kishte shfaqurr vendimet e kompanisë përpara përplasjeve fatale për një shqyrtim edhe më të madh publik.

Një zëdhënës i “Boeing” konfirmoi se kishte “arritur një marrëveshje në parim për kushtet e një rezolute me Departamentin e Drejtësisë”.

Si pjesë e marrëveshjes, prodhuesi i avionëve ra dakord të shpenzojë të paktën 455 milionë dollarë gjatë tre viteve të ardhshme për të rritur sigurinë dhe programet e pajtueshmërisë. Bordi i “Boeing” do duhet të takohet me të afërmit e të vrarëve në përplasjet e MAX, thuhet në dosje.

Marrëveshja detyron gjithashtu një mbikëqyrje të pavarur, që do duhet të paraqesë publikisht raportet vjetore të progresit, për të mbikëqyrur pajtueshmërinë e firmës. “Boeing” do të jetë në provë gjatë mandatit trevjeçar të mbikëqyrjes.

Avokatët e disa prej familjeve të viktimave thanë se planifikonin të bënin presion ndaj gjyqtarit Reed O’Connor, i cili ka mbikëqyrur çështjen, për ta hedhur poshtë marrëveshjen.

Në një dokument të veçantë të dorëzuar në gjykatë, ata cituan deklaratën e O’Connor në një vendim të shkurtit 2023: “Krimi i Boeing mund të konsiderohet si duhet krimi më vdekjeprurës i korporatave në historinë e SHBA-së”.