Gjykata e Lartë ka kërkuar rihetimin e ngjarjeve të 21 Janarit nga SPAK-u dhe rolin e ish-kryeministrit Sali Berisha e ish-ministrit të Brendshëm asokohe, Lulzim Basha. Në vendimin e zbardhur sot, gjykata zbardh argumentet e vendimit të 12 masit 2024, kur pranoi kërkesën e familjarëve të Aleks Nikës për rihapje të çështjes.
Sipas Gjykatës së Lartë, është e rëndësishme të mbahet në konsideratë qëndrimi i Gjykatës së Strasburgut sipas së cilës çështja e përgjegjësisë së mundshme të zinxhirit komandues të Gardës nuk ishte zbardhur nga hetimi i parë.
Gjykata e Lartë thotë se SPAK është i detyruar të regjistrojë procedimin penal dhe të zbardhë përgjegjësitë e ish-kryeministrit Sali Berisha, ish-ministrit Lulzim Basha, ish-kreut të Gardës Ndrea Prendit dhe zyrtarëve të tjerë për vrasjen e 4 protestuesve të pafajshëm në bulevard.
“Asnjëherë nuk është tentuar për të shtrirë hetimet lidhur me “ngjarjen e 21 janarit”, ku mbeten të vrarë katër demostrues dhe të plagosur dhjetëra të tjerë nga zjarri i armëve të përdorura nga efektive të Gardës Kombëtare të “barrikaduar” në brendësi të selisë së Kryeministrit, të ndodhur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përtej nivelit të mirëfilltë ekzekutues të krimit (krimeve) – të sipërcituar (efektivë të Gardës Kombëtare – përfshirë edhe nivelin komandues të saj), por edhe të paballafaquar minimalisht (në të njëjtën kohë) me indiciet individualizuese-evidentuese të implikimit të nivelit më të lartë drejtues shtetëror – përfshirë Kryeministrin dhe ministrin e Brendshëm të kohës, përtej atij të mirëfillte ekzekutues të vëna në dispozicion të organit të procedimit”, thuhet në vendimin e zbardhur të Gjykatës së Lartë.
Në protestën e thirrur nga PS-ja më 21 janar 2011, Agim Myrtaj, Ziver Veizi, Aleks Nika dhe Hekuran Deda u vranë në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, në dyert dhe pranë Kryeministrisë. Për ngjarjen është dënuar me 4 vjet burg në total ish-gardisti Agim Llupo , megjithatë pas dy vitesh në qeli, në vitin 2013, Llupo ka dalë nga qelitë e byrgut pasi gjykatësi Besnik Hoxha rrëzoi akuzën e prokurorisë ndaj Llupos dhe ish-kreut të gardës Ndrea Prendi duke e spallur të pafajshme dyshen.
Më 14 nëntor 2023, Gjykata e Strasburgut gjeti shkelje në hetimin e çështjes nga prokuroria duke kërkuar nxjerrjen e përgjegjësve të krimit dhe duke u dhënë të drejtë familjarëve që kërkuan rihapjen e çështjes.
Më 20 janar 2023, u publikuan audiopërgjimet e komunikimeve mes asokohe kreut të Gardës Ndrea Prendi dhe gardistëve gjatë protestës së 21 janarit.
Ndërkohë një raport konfidencial i siguruar nga Hashtag.al dhe publikuar më 28 janar 2021 godet alibinë e ish-Komandantit të Gardës, Ndrea Prendi, lidhur me ndërrimin e tytës së pistoletës së tij gjatë hetimeve për vrasjen e katër qytetarëve më 21 janar 2011.
Raporti konfidencial i është dërguar ambasadës amerikanë në Tiranë dhe në këtë raport thuhet se ekspertët e laboratorit balisitik kishin frikë të firmosnin dhe certifikonin manipulimin e tytës së pistoletës së shërbimit të Ndrea Prendit. Ata kanë kërkuar që ekspertimi të bëhej nga ekspertë të huaj dhe ambasada amerikane ia ka kaluar FBI-së.