Biznesmeni Gazmend Haxhia, pronar i kompanisë ‘Landways International’, është akuzuar nga SPAK për bashkëpunim në shpërdorimin e fondeve të BE-së në bashkëpunim me ish-ministrin Ilir Beqaj.
Haxhia është vetëdorëzuar pasi gjykata kishte caktuar masën e arrestit shtëpiak në mungesë. Prokuroria e Posaçme dyshon se Beqaj, si drejtues i SASPAC, ka organizuar procedura prokurimi të rreme për të përfituar financime nga fondet e BE-së për kompani të ndryshme, përfshirë edhe kompaninë e Haxhias.
SPAK thotë se ka gjetur prova se Ilir Beqaj si drejtues i SASPAC, në bashkëpunim me Kurtulajn, të cilin vetë e kishte emëruar, urdhëronte procedura fiktive prokurorimi, me vlerë qindra mijëra euro, kompanive të ndryshme për shërbime të pakryera dhe përfitues fundor të ishte pikërisht vetë ish ministri përmes Restorant Gzona në Tiranë, që SPAK thotë se është në pronësi të tij.
Mes 8 prokurimeve fiktive të zbuluara, SPAK evidenton pikërisht një të lidhur me ‘Landways International’. SASPAC i dha 125 mijë € kompanisë së biznesmenit Gazmend Haxhia për organizimin e një konference turizmi “Festa”. Por për të njëjtin event, dhe Ministria e Turizmit pagoi 38.5 mln lekë të reja. Pra gjithsej për të njëjtin aktivitet u paguan nga dy institucioneve shtetërore mbi 500 mijë €, ndërsa në fund i vetmi shpenzim i regjistruar është ai i një darke mundësuar nga “Gzona” me vlerë rreth 41 mijë euro.