Dy kamionë janë djegur në orët e para të së martës në Mitrovicë të Veriut, ndërsa zjarri prej tyre dëmtoi edhe një veturë udhëtarësh.
Sipas Rtv21.tv, zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për Rajonin Verior, Veton Elshani, është shprehur se zjarri ka të ngjarë të ketë qenë i qëllimshëm.
Ai nuk dha detaje të tjera rreth rastit, përveçse nuk ka të dyshuar dhe se hetimet janë duke u zhvilluar.
“Sot në mëngjes pak para orës 01.00 policia e kosovës ka vërejt një zjarr në rrugën Mbreti Petri në Mitrovica Veri. Dyshohet se persona të dyshimt kanë vënë në zjarr dy kamiona (zjarri i është vënë mbi motorr) që ishin të parkuar para magazinës së tyre. Një veturë poashtu është dëmtuar si pasoj e zjarrit. Zjarrëfikësit kanë dal në vend të ngjarjes dhe e kanë shuar zjarrin. Nuk ka të lënduar dhe policia po punon në ndriqim të rastit i cili është cilësuar si zjarrëvënie”, tha Elshani.
Kujtojmë se në veri të Kosovës, zonë e banuar me shumicë serbe, kanë ndodhur disa incidente të ngjashme këtë vit.