Vendosni fjalën kyçe....

Himara shkon në zgjedhje me 4 gusht, Tavo kandidat i PS-së, opozita ende pa emër


Presidenti Begaj ka dekretuar 4 gushtin si datën e zgjedhjeve për Bashkinë e Himarës pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i hoqi mandatin kryebashkiakut të zgjedhur Fredi Beleri.

PS-ja caktoi dje Vangjel Tavon si kandidatin e saj për këtë bashki ndërkohë që opozita nuk ka caktuar ende ndonjë emër.

Fushata zgjedhore do hapet më 26 korrik dhe kandidatët përkatës kanë 9 ditë kohë në dispozicion për t’u shpalosur qytetarëe programin. Data e fundit për të dorëzuar në KQZ emrin e kandidatit për opozitën është 22 korriku.

Sipas opozitës presidenti Begaj ka shkelur Kushtetutën me shpalljen e datës së zgjedhjeve. Ndër emrat e mundshëm që përfliten për të qenë kandidat kundër Tavos së PS-së është ai i djalit të Fredi Belerit, Petro Beleri, megjithatë asgjë nuk është ende zyrtare.

Fredi Beleri u dënua nga gjykata me dy vjet burg me akuzën e blerjes së votave. Ai u arrestua dy ditë para zgjedhjeve të 14 majit 2023. Beleri i ka hedhur poshtë akuzat si të montuara ndërsa e ka cilësuar dënimin e tij, politik me urdhër të kryeministrit Rama.