Koordinatori i PD për Tiranën, Klevis Balliu ka reaguar në rrjetet sociale lidhur me gjendjen e arsimit në vend.
Sipas Balliut, PD ka denoncuar gjendjen e arsimit në vend e cila sipas tyre është alarmante. Ndërkohë që Balliu shprehet se në shkolla më lehtë mund të sigurosh lëndë narkotike se sa libra.
Balliu e cilëson narkoshtet, qeverinë teksa fton qytetarët që ti bashkohen protestës së 11 korrikut, sipas tij kjo është zgjidhja e vetme për të rregulluar situatën në vend.
Deklarata e plotë:
“Partia Demokratike ka denoncuar në vijimësi dhe me përgjegjësi shoqërore dhe kombëtare gjendjen alarmante të arsimit në Shqipëri.
Pak ditë më pare, nga kjo foltore, dënuam degradimin e shënuar me rastin e dhunës në Fakultetin e Ekonomisë ku një pedagog dhunoi fizikisht kolegen.
Para pak javësh ngritëm zërin kundër drejtoreshës dhe një mësueses në gjimnazin ‘Qemal Stafa’, që mashtronin gjimnazistët me bursa studimi për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Një rast tjetër, ndoshta edhe më tragjik dhe më domethënës për katastrofën ku e ka hedhur Rilindja shkollimin e fëmijëve shqiptarë, vjen nga Durrësi.
Një drejtor shkolle, në këtë qytet me tradita në kulturë, arsim dhe trashëgimi, ishte shpërndarës lëndësh narkotike. Ai që duhet të ushqente fëmijët me dije dhe dinjitet u shiste drogë. Ai që duhet të ishte modeli për adoleshentët durraskë, nuk ishte më shumë se një bandit.
Kjo është fytyra e Rilindjes në arsim, dhe të gjitha përrallat e propagandës janë për tu hedhur hi syve shqiptarëve.
Si erdhëm deri këtu?!
Nëpër rrugët e Rilindjes së Edi Ramës nuk ecën me arritje, por me ilegalitet. Prej 11 vitesh në arsim nuk emërohesh apo bën karrierë në bazë të arritjeve dhe diplomave, por vetëm nëse je i besuari i qeverisë, patronazhisti që vjedh zgjedhjet për të kapur një punë dhe vjedh të ardhmen e nxënësve për të kapur ndonjë lek.
Në një narko-shtet nuk mund të kesh tjetër veçse narko-arsim dhe narko-mësues.
Në shkollat e narkoshtetit gjen me lehtë drogën se sa librin.
Në mentalitetin e narko-shtetit modeli janë trafikantët e qeverisë, jo njerëzit e dijes.
Prandaj shqiptarët zgjedhin të ikin. E kanë të pamundur të shohin fëmijët e tyre të drejtohen nga kriminelë dhe të mësohen nga banditë.
Te nderuar qytetare, Duhet ti heqim fëmijët tanë nga goja e hienave të Rilindjes. Ose duhet të ikim të gjithë, ose të largojmë bandën e narko-shtetit!
Vjedhjen e jetës me Onkologjik dhe e së ardhmes me banditë, nga qeveria e deri nëpër shkolla, duhet ta ndalim.
Bashkohu me opozitën, të enjten ora 20.00. Nuk është një betejë për t’i dhënë qeverisë një mësim, por për të larguar nga arsimi, nga zyrat e shtetit ata që përveç drogës nuk kanë mësim tjetër për t’u dhënë fëmijëve tanë”, u shpreh Balliu.