Vendosni fjalën kyçe....

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Konjufca: Nëse Serbia nuk ndëshkohet, do ta përsërisë sulmin në Banjskë


Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se Serbia mund ta përsërisë “agresionin terrorist” në Kosovë, nëse nuk ndëshkohet për sulmin e vitit të kaluar në Banjskë.

Në këtë fshat në veri të Kosovës, grupe të armatosura serbësh sulmuan policinë e Kosovës më 24 shtator, duke vrarë një polic.

Kosova bëri përgjegjëse Serbinë për sulmin, edhe pse ajo e mohoi.

“Si një nga shtetet që nuk e ka mbështetur sanksionimin e Rusisë për luftën pushtuese në Ukrainë dhe vazhdon të kultivojë bashkëpunim ushtarak me Rusinë, Serbia duhet të shihet si rrezik jo vetëm në Kosovë, por për krejt paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”, tha Konjufca.

Konjufca, edhe në fillim të këtij muaji, ka thënë se në Serbi po përgatiten për sulm ose provokim eventual në Kosovë.

Ai i bëri komentet e fundit në një konferencë të përbashkët për media me presidentin e Këshillit Kombëtar të Zvicrës, Eric Nussbaumer, të martën në Prishtinë.

Nussbaumer tha se Zvicra është mbështetëse e vazhdueshme e Kosovës.

Ai tha se vendi i tij është i shqetësuar për tensionet në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – dhe i bëri thirrje si Kosovës, ashtu edhe Serbisë që t’i adresojnë ato dhe ta parandalojnë përshkallëzimin e situatës.

Përgjegjësinë për sulmin në Banjskë e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i partisë më të madhe të serbëve të Kosovës, Lista Serbe.

Radoiçiq besohet se është i lirë në Serbi.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar dorëzimin e tij si kusht për vazhdimin e dialogut në nivel të lartë me Serbinë, me qëllim normalizimin e marrëdhënieve.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk e ka pranuar këtë kusht.

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien, ka thënë në fund të muajit të kaluar se Serbia ka premtuar se Radoiçiq do të përballet me ligjin në lidhje me ngjarjet në Banjskë.

Departamentit amerikan i Shtetit ka thënë në një prononcim të mëhershëm për REL-in se Radoiçiq është kriminel që duhet të mbahet përgjegjës.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e REL