Vendosni fjalën kyçe....

Pagesa për rrugën Thumanë-Kashar do jetë 2.52 euro thotë Ministria e Infrastrukturës, do fillojë ditët në vijim


Ditën e djeshme u krijuan radhë të mëdha në rrugën e re Thumanë Kashar, e cila filloi testimin e pagesave për të kaluar në 21 kilometrat e ndërtuara përmes koncesionit.

Pagesa u hoq pas amullisë së krijuar me trafikun.Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE) sqaroi sot se kompania ka kryer në segmente të ndryshme kohore, testime të kufizuara të sistemit të pagesës, për të kolauduar sistemin dhe aftësinë përpunuese të stafit.

Publiku do të njoftohet paraprakisht për datën dhe orarin e fillimit të pagesës, tha Ministria.

Pagesa për këtë aks është 2.1 euro pa TVSH, ndërsa pagesa finale për ata që do të kalojnë rrugën, përfshirë TVSH-në është 2.52 euro.

“Pagesa për kalimin në këtë aks do të jetë 2.1 euro pa TVSH, ose ekuivalenca e saj në lekë sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, në datën e fillimit të operimit të sistemit të pagesës” thuhet në njoftim.

Ministria tha se ky aks rrugor u hap përpara afatit për t’i dhënë frymëmarrje qarkullimit dhe për të lehtësuar trafikun në akset e veriut si dhe për të ndihmuar qytetarët që qarkullojnë në këto akse.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor