Vendosni fjalën kyçe....

Procedura për Belerin, Krstaq Kume: Presidenti nuk shkeli Kushtetutën, por Këshilli i Ministrave u nxitua për vakancën


Brenda pak orësh ditën e premte, KQZ e shpalli të pavlefshëm mandatin e Fredi Belerit, Këshilli i Ministrave njoftoi Presidentin e Republikës për vakancën dhe ky i fundit shpalli datën e re të zgjedhjeve për Bashkinë e Himarës.

Ish-kryetari i KQZ-së, Kristaq Kume ka shpjeguar të gjithë procedurën, duke thënë se si KQZ, ashtu edhe Presidenti i Republikës nuk kanë gabuar në këtë rast.

Në emisionin “Zona Zero” të gazetarit Milaim Zeka, Kume tha se KQZ nuk “ia hoqi mandatin” Belerit, por e shpalli atë të pavlefshëm.

Po ashtu, ai tha se Presidenti është i detyruar të shpallë datën e zgjedhjeve 48 orë nga njoftimi për vakancën.

Sipas tij, ishte Këshilli i Ministrave që u nxitua, duke mos pritur afatin prej 30 ditësh që Beleri ka për të apeluar vendimin e KQZ-së.

“QKZ nuk i mori mandatin, duhet të jemi të saktë. Në kushtet që ishte Beleri, i shpallur fitues, por ai nuk është ushtrues i mandatit. Dhe për sa kohë që Beleri konsumoi një vepër që është objekt i ligjit për pastërtinë e figurës, vepron neni 10 i ligjit për dekriminalizimin e cila flet për pavlefshmëri të mandatit, dhe jo për marrje.

Jemi në kushtet kur a mund të shpallet i pavlefshëm ky mandat? Po apo jo. KQZ e shpalli fitues, gjykata e Vlorës e njohu dhe e certifikoi, në këto kushte ishte i zgjedhur, por jo ushtrues i detyrës. Në këto kushte, nuk është vendim për ndërprerje apo marrje mandati, por pavlefshmëri.

Me shpalljen e pavlefshmërisë, natyrisht që krijohet vakanca. Dhe kjo vakancë duhet të plotësohet, por ka një procedurë. Atëherë kur konsumohet çdo procedurë. Në momentin që shpallet pavlefshmëria, brenda 30 ditëve mund të ankimohet. Ne kemi sot një dekret të presidentit, pa u konsumuar kjo procedurë. Presidenti nuk e ka shkelur Kushtetutën. Presidenti i republikës, i ndodhur kur kishte një vakancë, është i detyruar që me ligj brenda 48 orësh të shpallë datën e zgjedhjeve të parakohshme. Është nxituar Këshilli i Ministrave që i ka dërguar kërkesën Presidentit”, u shpreh Kume në Top News.