Kryeministri Rama ka përsëritur rëndësinë e projekteve turistike luksoze në Shqipëri duke përmendur atë në Sazan të dhëndrit të ish-presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner.
Në një shkrim të gjatë në Financial Times kushtuar manovrave të Serbisë në marrëdhëniet me duqitë e mëdha globale, Rama citohet të thotë: “Ne kemi nevojë për super luks ashtu si një shkretëtirë ka nevojë për ujë.”.
Sipas kreut të qeverisë Kushner dhe ish-i dërguari special i Trump për dialogun Serbi-Kosovë Richard Grenell bënë uverturën në Shqipëri përpara se të ktheheshin për të investuar në Serbi. I vetmi ndryshim, shton ai, është se në Shqipëri ishte Kushner, jo Grenell, ai që bëri qasjen fillestare.
“Në Serbi sigurisht që Grenell ishte prezantuesi, por këtu jo”, thotë Rama.
Kreu i qeverisë pohoi në mars të këtij viti se Kushner kishte bërë një kërkesë zyrtare për një investim në ishullin e Sazanit, ku parashikon të ndërtojë një resort luksoz. Rama ka theksuar se investimi në fjalë nuk do sjellë vetëm përfitime financiare për Shqipërinë po do rrisë edhe më shumë imazhin e saj.