Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku e pranishme në Konferencën e Nivelit të Lartë për Sigurinë Kibernetike në Ballkanin Perëndimor foli për arritjet e vendit në fushën e digjitalizimit,
Ndërsa nuk la pa përmendur edhe sulmin e vitit 2022, zëvendëskryeministrja Balluku tha se sulmet kibernetike nxorën në pah nevojën për të forcuar sistemet e sigurisë.
“Në këto kushte, ndërkohë që zhvillojmë dixhitalizimin në fushën ekonomike, në infrastrukturat kritike, siç thamë në marrëdhëniet njerëzore duhet patjetër të zhvillohet edhe antidota që është cyber security. Nëse ka një dëshmitar i cili mund t’ju flas për këtë çështje është Shqipëria, sepse e kemi provuar nën lëkurë se çdo të thotë të zhvillohesh nga ana dixhitale dhe të ofrosh më shumë se 99% të shërbimeve online, pra si administratë publike, por sigurisht edhe fusha të tjera të sektorit privat, siç është ai bankar etj., dhe të gjendesh para faktit të një sulmi të jashtëzakonshëm të sponsorizuar fuqimisht nga qeveri të vendeve të tjera. Nëse do të dëgjoni ndonjë vend tjetër tek gjendeni në evente të ngjashme, askush nuk do të kishte aftësinë më të mirë për t’ju treguar sesi funksionon goditja kibernetike dhe sesi mund të gjunjëzojë një vend të tërë. Kështu që Shqipëria në ndërkohë që prej vitit 2013, duke kulmuar në vitin 2019, ka investuar fuqimisht në ngritjen e një shoqërie dixhitale, u gjend në korrik të vitit 2022 në një sulm të jashtëzakonshëm, të konsideruar nga të gjithë partnerët tanë që na mbështetën në ato momente, me një impakt shumë të madh në bllokimin e një sërë shërbimesh shumë të rëndësishme. Ai ka qenë një moment kyç për vendin tonë, për një vendimmarrje shumë të rëndësishme, që për të thënë të drejtën rezultoi që të ishte e duhura.” u shpreh Balluku.
Balluku shtoi se Shqipëria ka bërë një progres të dukshëm në rrugën e sigurisë dixhitale, duke marrë masa konkrete.
“Sot armët nuk janë më konvencionale. Sot lufta bëhet për energji. Lufta bëhet për dixhitalizim, lufta bëhet patjetër me armë shumë të sofistikuara. Ndaj, përveç gjithçka që ne na u desh të bënim përsa i përket ngritjes së një trupe ekspertësh, të cilët patjetër u trajnuan, siç ju thashë nga partnerët tanë, atëherë na u desh që të fillonim dhe të zbatonim një sërë hapash bazuar në përafrimet ligjore, bazuar mbi zbatimin e standardeve të larta dhe praktikave më të mira të vendeve të zhvilluara të Bashkimit Europian, në koperim të plotë me partnerët në fushën e sigurisë të cilat morën një rëndësi shumë të veçantë për të gjithë vendin tonë.
Krijimi dhe ofrimi i shërbimeve të besueshme dhe të sigurta në mjedisin dixhital ndërkufitar për ne është një nga prioritetet qeveritare, prioritetet kombëtare, pasi ashtu siç kemi bërë edhe në fushën ekonomike ku e konsiderojmë Ballkanin Perëndimor si një të vetëm, ashtu duhet konsideruar edhe përsa i përket zhvillimeve dixhitale dhe është kënaqësi që e gjithë kjo paketë të jetë pjesë e Growth Plan për të cilin të gjitha vendet tona po punojnë në mënyrë individuale, por edhe të përbashkët. “ u shpreh ministrja.
Balluku theksoi se Shqipëria është ndër vendet e para që ka transpozuar direktivën e NIS2 të BE-së, duke rritur kërkesat për sigurinë e infrastrukturave kritike të informacionit.
“Shqipëria është një nga vendet që ka bërë një progres të dukshëm në zhvillimin e infrastrukturës dixhitale dhe në ofrimin e shërbimeve publike elektronike. Në rrugën e këtij zhvillimi na u desh të përballonim një sulm të fortë, ashtu siç ju thashë, në 2022 që u kthye në një leson learned për të gjithë ne. Ndaj në përgjigje të këtij sulmi, përveç ngritjes së një trupe të rëndësishme ekspertësh, Shqipëria ka bërë një sërë hapash duke u bazuar mbi masa konkrete.
Shqipëria është ndër vendet e para që ka transpozuar direktivën e NIS2 të BE-së, duke rritur kërkesat për sigurinë e infrastrukturave kritike të informacionit dhe strukturave të rëndësishme të informacionit.
Fusha e veprimit e ligjit për sigurinë kibernetike është zgjeruar duke përfshirë të gjithë gamën e infrastrukturave dixhitale dhe të ofruesve të tyre sipas standardeve më të fundit të Bashkimit Europian.” u shpreh mes të tjerash Balluku.