Jorida Tabaku ka reaguar mbi vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me Ligjin e Komisioneve Hetimore. Kryetarja e Komisionit të Çështjeve Europiane e ka quajtur këtë vendim një hap drejt rikthimit të funksionalitetit dhe kushtetutshmërisë së kuvendit. Ajo ka kritikuar mazhorancën për bllokimin e ngritjes së komisioneve hetimore për më shumë se katër muaj, duke e quajtur krizën e krijuar si artificiale.
Tabaku ka pasur përplasje të mëhershme me nënkryetaren e Kuvendit, Felaj, lidhur me propozimet ligjore. Parlamenti kishte kundërshtuar shqyrtimin e ligjit të propozuar nga Tabaku, duke analizuar vetëm atë të propozuar nga Felaj.
Sipas Tabakut, vendimi i Gjykatës Kushtetuese i jep kuvendit mundësinë të rikthejë dialogun dhe debatin për miratimin e një ligji brenda normave kushtetuese. Ajo e ka quajtur këtë një fitore që i jep shansin kuvendit dhe kryetares së tij të nxjerrin në pah propozimin e grupit parlamentar të PD për këtë çështje.
“Rrëzimi i Ligjit për Komisionet Hetimore nga Gjykata Kushtetuese është një tjetër hap që i jep mundësinë Kuvendit të Shqipërisë të rikthehet në shinat e funksionalitetit dhe kushtetueshmërisë. Kriza artificiale që prodhoi mazhoranca në fillim duke mos lejuar ngritjen e komisioneve hetimore, pastaj duke sajuar një ligj me porosi për t’iu shmangur thelbit të ngritjes së Komisioneve u rrëzua përfundimisht sot.
Përgëzime të përzemërta koleges Çupi dhe këshilltarit ligjor në PD, Marash Logut, që edhe një herë dëshmuan drejtësinë e qëndrimit të Grupit Parlamentar të PD në lidhje me Komisionet Hetimore.
Fitorja, i jep shansin këtij kuvendi që të rikthehet drejt ligjshmërisë. Ndryshimet e njëanshme janë të destinuara të dështojnë. Uzurpimi i hapësirës kushtetuese dhe ligjore të opozitës është i destinuar të dështojë. Në sirtaret e kuvendit gjendet ende drafti që kam propozuar në emër të grupit parlamentër të Partisë Demokratike për Ligjin e Komisioneve Hetimore. Ndryshime të kryera mbas gjetjeve në komisionin e inceneratorëve dhe bisedës me ekspertët. Në drejtësinë e këtij vendimi është që kyretarja e parlamentit të nxjerrë në dritë atë propozim dhe ta diskutojmë për ta përmisuar dhe rikthyer hapësirën e cunguar opozitës”, u shpreh ajo.