Ukraina do hakmerret pasi një sulm raketor rus vrau të paktën 41 njerëz dhe dëmtoi një spital për fëmijë në Kiev, tha të hënën presidenti Zelensky gjatë një vizite në Varshavë ku nënshkroi një pakt sigurie me Poloninë.
Ndërsa krerët botërorë përgatiten për të shkuar në një samit të NATO-s që fillon të martën në Uashington, Zelensky u bëri thirrje aleatëve të Kievit që t’i japin një përgjigje të vendosur sulmit të së hënës në një konferencë për shtyp që filloi me një minutë heshtje për viktimat.
“Do të doja gjithashtu të dëgjoja nga partnerët tanë një qëndrueshmëri më të madhe dhe një përgjigje të fortë ndaj goditjes që Rusia i ka dhënë edhe një herë popullit tonë, tokës tonë, fëmijëve tanë”, tha ai.
“Ne do hakmerremi kundër këtyre njerëzve, do i japim një përgjigje të fuqishme nga ana jonë Rusisë, me siguri. Pyetja për partnerët tanë është: a mund të përgjigjen ata?”
Zelensky tha se Kievi dëshironte të ishte në gjendje të përdorte armët e furnizuara nga partnerët e tij për të goditur bazat në Rusi nga ku po fillonin sulmet.
“Mendoj se do donim vërtet të merrnim një vendim të tillë nga partnerët tanë”, tha ai.
“Ose ata do donin të shihnin përsëri sulmet nga ana e Rusisë.”
Zelensky tha se Ukraina ishte duke pritur për hapa konkretë nga partnerët perëndimorë për të forcuar mbrojtjen e saj ajrore dhe për të mbrojtur sektorin e saj të energjisë.