Vendosni fjalën kyçe....

Ishte shpallur në kërkim, arrestohet Xhelal Rraja, vëllai i ish-deputetit socialist Rrahman Rraja


Policia ka vënë në pranga Xhelal Rrajën, vëllain i ish-deputetit të PS-së, Rrahman Rrajës, i cili ishte shpallur në kërkim për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe për sigurim të kushteve për të kryer vrasje.

Ndaj tij, Gjykata kishte caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë.

 

Njoftimi i Policisë

Pas një pune të mirëfilltë hetimore, është bërë e mundur kapja e shtetasit në kërkim Xh. Rr. Xh. Rr. ishte shpallur në kërkim, pasi gjykata i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, në vijim të operacionit “Revanshi”, për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe për sigurim të kushteve për të kryer vrasje.

 

Xhelal Rraja, vëllai i ish-deputetit socialist Rrahman Rraja sipas SPAK ishte pjesë e grupeve të Durim Bamit e Endrit Dokles që tentuan vrasjen e ish ligjvënësit tjetër socialist Arben Ndoka. Prokuroria thotë se Durim Bami dhe Endrit Dokle, në bashkëpunim me Xhelal Rrajën, vëllain e ish deputetit socialist dhe Marklen Hakën, thurën planin për të vrarë Ndokën.

Ai përmendet në përgjimet e dosjes Metamorfoza si përdorues i një telefoni SKY me pseudonimin H2. Kujtojmë se një vit më parë, Xhelal Rraja u përfshi në rrahjen masive që ndodhi në Thumanë ndaj dy kushërinjve, Jashar dhe Bilbil Maja, ngjarje pas së cilës vëllai i tij deputet dha dorëheqjen. Në atë kohë, Xhelal Rraja u shpall në kërkim nga policia.