Vendosni fjalën kyçe....

“Leksi i druve” drejt pendesës


Njeriu që ka iniciuar dosjen penale Nr.59 (Revanshin) në SPAK, është pikërisht Aleks Ndreka, i cili i vënë në shënjestër të vazhdueshme për tu vrarë nga fisi “Ndoka”, ka shkuar vullnetarisht mesditën e 8 Marsit 2022 në ambientet e SPAK, duke bërë kallëzim dhe dhënë shpjegime për serinë e 3 sulmeve me armë dhe tritol nga anëtarët e fisit “Ndoka” në Lezhë.

Ndreka kishte vetëm 1 ditë, që i kishte shpëtuar një sulmi me armë, ndaj presioni në rritje i fisit “Ndoka”, ka bërë që ai të gjunjëzohet para dyerve të prokurorëve të SPAK.

Pikërisht dy vite më parë, në 8 Mars Ditën e Festës së nënës, Aleks Ndreka, ka ngjitur shkallët e SPAK për të bërë kallëzimin penal, me shpresën se SPAK do hetonte dhe luftonte, njerëzit e ish-deputetit të PS Arben Ndoka, të cilës sipas tij kishin realizuar dhe financuar tre atentate kundër tij.

Por kur kaluan 1 vit e dy muaj nga kallëzimi i depozituar në SPAK, Aleks Ndreka ose siç njihet ndryshe si “Leksi i Druve”, në muajin korrik 2023 e pa veten të akuzuar në dosjen penale Nr.9 apo siç njihet ndryshe si “Metamorfoza”, ku Ndreka dhe persona të tjerë të klanit “Bajri”, bënin plane për vënie në zbatim të vrasjes së Dorian Dulit, Ibrahim Licit dhe Genc Tafilaj.

Tashmë Aleks Ndreka është arrestuar në Itali dhe pritet që në ditët në vijim të ekstradohet në drejtim të Shqipërisë, ku gjasat dhe mundësitë janë që ai të kthehet në bashkëpuntor i prokurorisë së posaçme SPAK.

Gazetari i “Ora News”, Elton Qyno ka mësuar nga burime pranë SPAK se në 8 Mars 2022 Aleks Ndreka ka depozituar kallëzimin kundër Ndokajve.

Ndërsa 7 ditë më pas, mbi bazën dhe referencat e këtij kallëzimi në 15 Mars është bërë regjistrimi i procedimit penal për akuzën e “Vrasjes me paramendim” mbetur në tentativë kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grup i Strukturuar Kriminal” dhe “Mbajtja pa lejë e armëve shpërthyese dhe municionit”.

Në kërkim në kuadër të operacionit ”Metamorfoza”, arrrestohet në Itali ”Leksi i druve”

Objekt hetimi i kësaj çështje të numërtuar Nr. 59 ishte ngjarja e datës 7 Mars 2022, ku në qytetin e Lezhës në orën 13:45 nga persona të paidentifikuar të cilët po lëviznin me një automjet “Audi A8” është qëlluar me armë zjarri ndaj Aleks Ndrekës.

Hetimi i SPAK u shtri në kohë duke tërhequr dhe dosjen penale nga prokuroria e Lezhës, por pa mundur të zbulojë ndonjë gjurmë të autorësisë në pjesëmarrjen në krimit të ndonjërit prej anëtarëve të fisit “Ndoka”, në ngjarjen kriminale të datës 7 Mars 2022.

Por teksa hetimet ishin për identifikimin e kësaj ngjarje ishin drejt një dështimi total, në 19 shkurt 2024 hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit, kanë referuar informacion lidhur me disa shtetas shqiptarë dhe të huaj që bashkëpunojnë mes tyre në formën e veçantë të grupit të strukturuar kriminal me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike dhe krimeve ndaj jetës.

Ky informacion konfidencial bazohej në biseda konkrete të zhvilluara në aplikacionin “SKY” nga disa prej eksponentëve të krimit të organizuar në Shqipëri dhe politikës Shqiptare.

Në 8 Maj 2024, kur kishin kaluar dy vite e 2 muaj nga kallëzimi i Aleks Ndrekës, SPAK vendos që në procedimin Nr.59 të vitit 2022 të futë bisedat e zhvilluara në “SKY”.

Një gjë e tillë është kryer pasi një ditë më parë në 7 Maj 2024, SPAK kishte vendosur të regjistronte emrat e 51 personave në regjistrin e personave të vënë nën hetim.

Por situata ka marrë një tjetër rrjedhë. Pasi teksa SPAK kryente hetime për të zbuluar atentatin me armë të datës 7 Mars 2022 ndaj Aleks Ndrekës, falë ndihmës përmes bisedave të “SKY” është arritur të zbulohen autorët e një tjetër sulmi me armë ndaj Ndrekës të kryer në 1 Dhjetor 2020, të cilët janë Arben Ndoka, Samuel Ndoka, Arian Tuku dhe Viçens Tuku.

Nga ana tjetër hetimet kanë vijuar dhe me raste të tjera duke bërë që SPAK të zbulojë në veprimtari kriminale 51 persona.

Në 10 Maj 2024, SPAK i është drejtuar me një kërkesë për caktim mase sigurimi “arrest në burg” ndaj 50 personave ndërsa në 15 Maj gjyqtarja Flojera Davidhi, ka miratuar kërkesën duke i lënë akses prokurorisë të kryejë arrestimet.

Ndërkohë hetimi për ngjarjen e cila u bë shkak për të nisur këtë çështje, nuk është konkretizuar ende dhe se aktualisht sulmi me armë ndaj Aleks Ndrekës në datën 7 mars 2022 nuk është zbardhur.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Oranews.al