Policia e Shtetit ka arrestuar 38-vjeçarin me iniciale Adrian Cenaj (Dedja) pasi është akuzuar për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
38-vjeçari i lindur në Kukës akuzohet se ka siguruar mjete për të kryer vrasje.
“I akuzuar nga GjKKO-ja, për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, për sigurim të mjeteve/kushteve për të kryer vrasje, kapet në Tiranë dhe vihet në pranga 38-vjeçari.
Në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit” dhe si rezultat i informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, gjatë operacionit policor të koduar “Operacionalja 12”, lokalizoi në Tiranë, kapi dhe vuri në pranga shtetasin e shpallur në kërkim A. C. (D.), 38 vjeç, i lindur në Kukës.
Gjykata e Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më datë 11.07.2024, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në formë të veçantë bashkëpunimi, atë të grupit të strukturuar kriminal, si dhe për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe kryerje të veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”-thuhet në njoftimin e policisë.