Vendosni fjalën kyçe....

Kërkoi lirimin, dështon seanca për Dritan Dajtin në Elbasan


Dështon seanca për Dritan Dajtin në Elbasan.

Dajti kërkoi shoqërimin në Gjykatës, por kërkesa e tij nuk u pranua për arsye sigurie.

Dështoi edhe kryerja e seancës me video konferencë, sepse mungonin kushtet teknike.

Dajti ndodhet i izoluar në Burgun e Peqinit, kurse avokati tha se klienti i tij ka shprehur pakënaqësi, që nuk është lejuar të marrë pjesë fizikisht në seancë.

“Prisnim që Dritan Dajti te ishte i pranishëm. Klienti im i shqetësuar pse nuk është lejuar prania në gjykatë”, tha mbrojtja e tij.

Pak ditë pasi Gjykata e Lartë e riktheu në burgim të përjetshëm Dritan Dajtin, ai i është drejtuar me një kërkesë burgut të Peqinit për lirim nga qelia.

Përmes avokatit, Dajti ka drejtuar një kërkesë gjykatës së Elbasanit, ku pretendon se dënimi i tij me 25 vite burg është kryer dhe se institucioni i vuajtjes së dënimit duhet të niste procedurën e lirimit të tij.

Por, sipas vendimit, Dritan Dajti do të vuajë dënimin në një burg të sigurisë së lartë dhe është fajtor për vrasjen e efektivëve Kastriot Feskaj, Altin Dizdari, Sajmir Duçkollari dhe Fatos Xhani, ngjarje e shënuar më 7 gusht të vitit 2009, në Durrës, gjatë një operacioni për arrestimin e tij.

Gjykata e Lartë ka vendosur të dënojë me burgim të përjetshëm Dritan Dajtin për vrasjen e 4 efektivëve të policisë në vitin 2009 në Durrës.