NATO-ja ndryshon qasje ndaj Kinës, e akuzon se po mundëson sulmet e Rusisë ndaj Ukrainës, paralajmëron masa
Pas dekadash duke e parë Kinën si një kërcënim të largët, NATO të mërkurën akuzoi Pekinin se po bëhej “një mundësues vendimtar i luftës së Rusisë kundër Ukrainës” dhe kërkoi që ajo të ndalonte dërgesat e “përbërësve të armëve” dhe teknologjive të tjera të rëndësishme për forcimin e ushtrisë ruse.
Deklarata është pjesë e një qëndrimit të miratuar nga 32 krerët e aleancës, pak para se të shkonin në një darkë në Shtëpinë e Bardhë të mërkurën mbrëma. Është një ndryshim i madh kursi për NATO-n, e cila deri në vitin 2019 nuk e përmendi kurrë zyrtarisht Kinën si shqetësim ndërsa më pas vetëm me gjuhë të butë.
Tani, për herë të parë, aleanca është bashkuar me denoncimet e Uashingtonit për mbështetjen ushtarake të Kinës për Rusinë.
Por deklarata përmban një kërcënim të nënkuptuar se mbështetja në rritje e Kinës për Rusinë do ketë një kosto. Kina “nuk mund të mundësojë luftën më të madhe në Evropë në historinë e fundit pa ndikuar negativisht në interesat dhe reputacionin e saj”, thuhet në deklaratë, duke theksuar veçanërisht “mbështetjen e saj në shkallë të gjerë për bazën industriale të mbrojtjes së Rusisë”.
Deklarata e NATO-s nuk specifikoi se cilat do të ishin ato kosto, megjithëse hapi i parë i natyrshëm do të ishin sanksionet ekonomike që e ndalonin Kinën nga pjesë të tregjeve globale.
Edhe një vit më parë, krerët evropianë ngurruan të sfidonin Pekinin, veçanërisht kombet si Gjermania që e shohin Kinën si një treg jetik për makinat e nivelit të lartë dhe mallrat luksoze.
Shumë krerë evropianë fillimisht hodhën poshtë marrëveshjen e arritur në fillim të vitit 2022, pak para Olimpiadës së Pekinit, për një “partneritet pa kufij” të nënshkruar nga presidenti rus Putin dhe presidenti Xi Jinping i Kinës. Edhe presidenti Biden tha se kishte dyshimet e tij se dy vendet, me një histori të gjatë armiqësie, mund të punonin së bashku. Në mars 2023, gjatë një udhëtimi në Kanada, ai tha: “Unë mendoj se ne e ekzagjerojmë shumë partneritetin”.
“Kam dëgjuar tani për tre muajt e fundit se Kina do t’i ofrojë Rusisë armë të rëndësishme dhe ata do t’ia japin, shumë flasim për këtë,” shtoi Biden.
“Ata nuk e kanë bërë ende. Nuk do të thotë se nuk do ta bëjnë, por nuk e kanë bërë ende.”
Por 29 muaj pas pushtimit të Ukrainës, kjo pikëpamje ka ndryshuar në mënyrë drastike. Ndërsa Kina ka marrë parasysh paralajmërimet për të mos furnizuar Rusinë me sisteme të plota të armëve, ajo ka bërë gjithçka tjetër përveç kësaj, duke ofruar çipa kompjuterikë, softuer të përparuar dhe përbërësit e nevojshëm që Rusia të rindërtojë një bazë industriale të mbrojtjes që më herët ka prodhuar pajisje me defekt dhe të vjetruara.
Provat e inteligjencës iu dhanë vendeve të NATO-s nga administrata e Biden, në një përpjekje për të tërhequr skeptikët që argumentonin se Kina nuk ishte një lojtar qendror në luftë. Kjo pati sukses, por vetëm pasi Shtetet e Bashkuara publikuan emrat, në një urdhër të sanksioneve ekonomike të Departamentit të Thesarit, të kompanive dhe prodhuesve të parë kinezë që po dërgonin teknologjinë në Rusi.
“Deklarata tregon se aleatët e NATO-s tani e kuptojnë kolektivisht këtë sfidë dhe po i bëjnë thirrje Kinës për të ndërprerë këtë veprimtari”, tha Jake Sullivan, këshilltari i Biden për sigurinë kombëtare, të mërkurën pasdite.
“Nëse kjo mbështetje e Kinës vijon, ajo do degradojë marrëdhëniet e saj në gjithë Evropën dhe Shtetet e Bashkuara do vijojnë të vendosin sanksione ndaj subjekteve kineze tëe përfshira në këtë veprimtari, në bashkërendim me aleatët tanë evropianë”.
Deklarata fajëson gjithashtu Kinën për “veprimtari keqdashëse kibernetike dhe hibride, duke përfshirë dezinformimin” që synojnë Shtetet e Bashkuara dhe Evropën. Në fillim të kësaj jave, Shtetet e Bashkuara dhe disa nga aleatët e tyre paralajmëruan për një grup hakerash të lidhur me Ministrinë e Sigurisë Shtetërore të Kinës, i cili duket se është i përqendruar në vjedhjen e sekreteve qeveritare dhe tregtare të mbrojtura mirë.
Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë e kanë shpenzuar pjesën më të madhe të viteve të fundit duke u përqendruar në një grup tjetër që ka akuzuar për vendosjen e viruseve në infrastrukturën jetike amerikane, që mund të aktivizohet për të ndërprerë tubacionet dhe rrjetet elektrike në një përplasje të mundshme mbi Tajvanin.
Kina ka mohuar se po përgatitet për sulme kibernetike ose se është një faktor kryesor në luftën në Ukrainë. Zyrtarët kinezë, publikisht dhe privatisht, kanë akuzuar Uashingtonin për hipokrizi të thellë, duke vënë në dukje dhjetëra miliarda dollarë në municione, sisteme raketore, tanke dhe së shpejti avionë F-16 që Shtetet e Bashkuara po u japin luftëtarëve ukrainas.
Në maj, kur u vendosën sanksionet amerikane, Ëang Ëenbin, një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme kineze, i quajti akuzat e SHBA-së “hipokrite dhe shumë të papërgjegjshme”. Por ai nuk i mohoi specifikat.
Përplasja rreth rolit të Kinës në Ukrainë po kërcënon të zbusë çfarëdo vullneti të mirë që Biden ndërtoi me Xi Jingping kur ata u takuan në nëntor në Kaliforni. Në atë kohë, Biden e paralajmëroi privatisht për ndërhyrjen në zgjedhjet presidenciale të 2024-ës, por ende nuk kishte prova se Kina po bëhej një forcë e madhe, së bashku me Iranin dhe Korenë e Veriut, në furnizimin e përpjekjeve të luftës ruse.
Për Kinën, masa për të ndihmuar pushtimin e Rusisë në Ukrainë është relativisht e re. Fundjavën përpara fillimit të pushtimit në shkallë të plotë në shkurt 2022, zyrtari më i lartë i politikës së jashtme të Kinës, Ëang Yi, tha në Konferencën e Sigurisë në Mynih se Pekini respektonte sovranitetin e kombeve të pavarura, përfshirë Ukrainën. Por tani ajo po e fsheh pak mbështetjen e saj për përpjekjet e Rusisë për të fshirë vendin nga harta dhe për të integruar territorin e saj.
Që atëherë, numri i projekteve të përbashkëta të Kinës me Rusinë, përfshirë stërvitjet ushtarake, ka qenë i lartë. Xi dhe Putin janë takuar rreth 50 herë si presidentë. Dhe përpjekja e tyre e përbashkët me Evropën për të frenuar rritjen e arsenalit bërthamor të Koresë së Veriut dhe për të parandaluar Iranin që të marrë një rrugë të ngjashme është braktisur.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e NY Times
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani