Vendosni fjalën kyçe....

Përshpejtimi i rritjes së pagave ngre dyshime mbi shkallën e uljes së normave të BQE


 

Rritja e pagave në Eurozonë u përshpejtua muajin e kaluar, duke nxitur spekulime nga ekonomistët se Banka Qendrore Europiane mund të luftojë për të ulur normat e interesit aq sa presin investitorët.

Një gjurmues pagash nga faqja e internetit për rekrutim Indeed, tregoi se pagat për punët e shpallura u rritën me 4.2% nga viti deri në qershor, duke u përshpejtuar në ritmin më të shpejtë për një vit, pasi lëvizën rreth 3.5%, që nga fillimi i 2024.

“Këto të dhëna mund të rezultojnë se sfidojnë parashikimin e inflacionit të BQE-së”, tha Tomasz Wieladek, ekonomist në firmën e investimit T Rowe Price.

“Nëse shfaqen më shumë prova të inflacionit të vazhdueshëm të pagave, BQE-së mund t’i duhet të ulë normat me një ritëm më të ngadaltë nga sa presin tregjet.

BQE filloi të ulë normat e interesit muajin e kaluar dhe investitorët tani po parashikojnë dy reduktime të tjera në kostot e huamarrjes këtë vit, me një tjetër që ka të ngjarë të vijë në shtator.

BQE i është referuar rregullisht gjurmuesit të pagave Indeed, si një tregues parashikues, se ku po shkon rritja e përgjithshme e pagave në bllokun e monedhës së përbashkët, i cili është bërë një nga faktorët kryesorë, që ndikon në ritmin e shkurtimeve të normave.

Nëse pagat vazhdojnë të rriten me shpejtësi, kjo rrit kostot për kompanitë, të cilat shpesh kërkojnë t’i kalojnë ato te konsumatorët nëpërmjet çmimeve më të larta, duke e mbajtur inflacionin të lartë.

Banka pritet t’i mbajë të pandryshuara normat në mbledhjen e javës së ardhshme, pasi ka ulur tashmë normën bazë të depozitave nga 4% në 3.75% muajin e kaluar, nën shenjat se periudha më e keqe e inflacionit në dekada ka kaluar.

Inflacioni ka rënë nga një kulm prej 10.6% në tetor 2022, në 2.5% në qershor, por ai mbetet mbi objektivin prej 2% të BQE-së.

Presidentja e saj Christine Lagarde tha javën e kaluar, se ajo “po përballet ende me disa pasiguri në lidhje me inflacionin e ardhshëm, veçanërisht për sa i përket mënyrës sesi lidhja e fitimeve, pagave dhe produktivitetit do të evoluojë dhe nëse ekonomia do të ndikohet nga goditjet e reja të ofertës”.

Gjurmuesi i marrëveshjeve kolektive të pagave të BQE-së, tregoi një përshpejtim në maj në 4.2% – nga 4% në muajt e fundit.

Papunësia në Eurozonë është në një nivel të ulët rekord prej 6.4% dhe rreth një e katërta e kompanive në rajon, raportojnë ende mungesa të fuqisë punëtore.

Lagarde sinjalizoi se BQE-ja ka të ngjarë të marrë një qasje graduale ndaj uljes së normës, duke thënë se “do të duhet kohë, që ne të mbledhim të dhëna të mjaftueshme për të qenë të sigurt, se rreziqet e inflacionit kanë kaluar”.

Banka parashikoi muajin e kaluar se paga për punonjës, do të ngadalësohej nga 5.2% rritje, në 4.8% këtë vit dhe në 3.5% vitin e ardhshëm.

Wieladek tha se ai ende besonte se BQE do të ulte normat dy herë më shumë këtë vit, por shtoi se të dhënat e fundit të pagave ka të ngjarë të “çojnë në një debat të rëndësishëm në këshillin qeverisës”.

Gjurmuesi i pagave të Eurozonës, Indeed, u rrit nga një përshpejtim i pagave për punët e reja të shpallura në Itali, Spanjë dhe Holandë, ndërsa ato u ngadalësuan në Francë dhe ishin të qëndrueshme në Gjermani dhe Irlandë.

Shumë punëtorë europianë caktojnë pagën e tyre me marrëveshje kolektive me sindikatat. Për shkak se këto bisedime ndodhin çdo disa vjet në çdo sektor, pagat kërkojnë kohë për të kapur inflacionin, pasi punonjësit kërkojnë, që të ardhurat e tyre të ruajnë ritmin me koston e jetesës.

Sindikata më e madhe e shërbimeve gjermane Verdi, këtë javë kërcënoi me grevë, që mund të prishë tregtinë në portet e Detit të Veriut, pasi refuzoi një ofertë pagash për 11,500 punonjës të portit. Sindikata industriale IG Metall, e cila përfaqëson 3.9 milionë punëtorë gjermanë të elektricitetit dhe metalit, ka kërkuar një rritje pagash prej 7%. / FT

 

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor