Ish-efektivi i policisë në Sarandë, Lavdosh Metaj, 41-vjeç, është plagosur me thikë mëngjesin e sotëm.
Metaj ishte arrestuar në vitin 2021 për shpërndarje kokaine dhe u lirua tremuaj më parë për shkak të amnistisë. 41-vjecari me origjinë nga Mallakastra, dyshohet të jetë goditur me thikë nga roja i një hoteli në Lagjen nr.1 në Sarandë.
Metaj kishte parkuar automjetin brenda hotelit dhe dyshohet se është përplasur me rojen e më pas ky i fundit dyshohet ta ketë goditur me mjet prerës.
Ai është dërguar drejt spitalit të Sarandës ku ka marrë ndihmën i pare kurse roja me iniciale A. Sh. është arrestuar nga policia.
Njoftimi
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, menjëherë pas marrjes së njoftimit se ishte plagosur me mjet prerës (thikë), shtetasi L. M., kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorit. Si rezultat i kërkimeve, pas disa orësh, u bë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë i autorit, shtetasit:
A.Sh., 41 vjeç, banues në Sarandë.
Ky shtetas dyshohet se më datë 11.07.2024, rreth orës 03:40, në lagjen nr.1, në një vendparkim, pas një konflikti të çastit, për motive të dobëta, ka plagosur me mjet prerës (thikë), shtetasin L. M., 41 vjeç, banues në Sarandë, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.”