Vendosni fjalën kyçe....

Raporti i fshehtë – Shqipëria shkaktoi kolapsin energjitik në qershor



Më 21 qershor të këtij viti, papritur u shkëput energjia elektrike në pjesën dërrmuese të Shqipërisë për afro 30 minuta.

Ca më vonë u kuptua se diçka e rëndë kishte ndodhur, pasi e njëjta gjë kishte ndodhur dhe në Malin e Zi, Bosnje e në Kroaci.

Menjëherë në një dalje për mediat ministrja Balluku shpjegoi se kolapsi i ndodhur orientonte si shkak një problem në Malin e Zi, ndërsa shkaku sipas saj lidhej me mbingarkesën e rrjetit për shkak të temperaturave të larta dhe përdorimit të instrumenteve të kondicionimit etj.

Por një raport i hartuar nga vartësit e saj në OST dhe i siguruar nga Hashtag.al (lexoje këtu), sugjeron se  nuk është Mali i Zi, por është Shqipëria shkaktare e kolapsit dhe e efektit kaskadë të krijuar në rrjetin e transmetimit.

Madje raporti zbulon se  tre linja transmetimi në momentin që ndodhi ngjarja ishin jashtë funksioni, sepse në ato linja po bëheshin punime për ndërtimin e rrugëve të reja, përfshirë rrugën Kashar-Thumanë.

 

Si ndodhi ngjarja

Në momentin kur ndodhi kolapsi, Shqipëria ishte duke importuar sasi energjie nga Greqia, njëherësh duke eksportuar një pjesë të kësaj sasie në Malin e Zi.

Në orën 12:09 të mesditës në një linjë brenda territorit malazez u stakua përcjellja pasi u dyshua dëmtim i rrjetit nga pemët e larta ose një motiv tjetër.

Autoritetet malazeze njoftuan avarinë dhe vetëm 12 minuta më pas, në orën 12:21 ndodhi kolapsi i madh në 4 shtete ballkanike.

Raporti i OST-së thotë se 12 minuta pas ngjarjes në Malin e Zi, në Shqipëri u stakua linja që po importonte nga Greqia, OST-ja gjithashtu ja përvesh përgjegjësinë e këtij stakimi bimësisë, pra kur pemët e larta i afrohen perimetrit të kabllove përcjellës dhe automatikisht sistemi R/L ndërpret përcjelljen.

Por në raportin e vet, OST-ja rendit dhe tre pika shumë interesante si shkak që ka nxitur kolapsin.

OST-ja pranon zyrtarisht se vendi ynë prej kohësh mban të stakuara tre kapilarë interkonjeksioni që lidhen me ndërtimin e rrugëve të reja, ato janë:

-Linjat që kalojnë pranë rrugës Thumanë-Kashar,
-Linja që kalon pranë rrugës së re që po ndërtohet në unazën e jashtme të Tiranës
-Linja Fier-Babicë

Nuk dihet nëse OST i ka raportuar në rrjetin energjitik rajonal këto stakime të linjave, por ajo që dihet me siguri është fakti se sistemet matriks të interkonjeksionit, kanë gjithmonë një plan B kur ndodh një avari diku.

Pra, pasi ndodhi avaria në Malin e Zi, OST-ja mund të aktivizonte planin B ose atë që quhet si mbrojtja e ‘nivelit 1’ nga avaritë dhe të kapilarizonte menjëherë rrymën në drejtime të tjera.

Por në momentin që ndodhi avaria në Malin e Zi, tre nga kapilarët kryesorë ishin jashtë funksionit.

“Është njësoj sikur të kesh një autostradë me 10 korsi, aty 10 makina kalojnë njëherësh pa problem. Por nëse papritur autostrada ngushtohet dhe bëhet me një korsi duhet kapilarizuar menjëherë diku tjetër rruga, përndryshe kolapson sistemi, fiket fare dhe rrjeti mbetet me zero energji”, – e shpjegoi me fjalë të thjeshta situatën një ekspert i linjave të transmetimit.

 

Pikëpyetje mbi punimet publike

Në momentin kur ndodhi kolapsi energjitik, në rrugën Kashar-Thumanë po punohej me ritme të shpejta për përfundimin dhe inagurimin e kësaj rruge.

Një burim jo-zyrtar i tha Hashtag.al se linjat e rrymës që kalonin pranë kësaj rruge kishin disa javë që rrinin stakuar.

Si rregull kur gjurma e një autostrade të re imponon që të zhvendosen dhe linjat e interkonjeksionit, pra të zhvendosen shtyllat dhe kabujt, OST-ja ka një ndërrmarje të posaçme, që brenda 3 ose 4 javësh bën zgjidhjen e situatës me shtylla portative.

Pra instalohen dhe përdoren shtylla portative pranë trajektores së rrugës, me qëllim që kur të hiqen shtyllat e vjetra, të mos ketë stakim të kapilarit.

Të dhënat sugjerojnë se në rrugën Thumanë-Kashar apo dhe punimet e rrugës së unazës së jashtme të Tiranës nuk është angazhuar kjo ndërrmarje e OST-së që vendos shtyllat portative, por nga OST-ja janë bërë dy prokurime në disa miliona euro, që dy kompani private ta kryenin këtë punë.

Me sa duket “puna” është kryer duke i stakuar fare linjat për një kohë të gjatë, çka dyshohet se solli kufizimin e kapilarëve dhe shndërrimin e një avarie normale në Malin e Zi, në një kolaps total në katër shtete./ Hashtag.al