Vendosni fjalën kyçe....

Regjistrimi i të drejtave të autorit online, qeveria miraton procedurën që duhet të ndiqet


Qeveria miratoi të mërkurën e kësaj jave procedurat që do të ndiqet për regjistrimin e të drejtave të autorit sipas ligjit të vitit 2016 ““Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, duke nënvizuar se gjithçka kalon përmes e-albania. Vendimi sqaron hap pas hapi të gjitha hallkat që duhet të plotësohen deri në regjistrim.

Kështu regjistrimi i së drejtës së autorit është vullnetar dhe u referohet vetëm të drejtave të autorit. Ky regjistrim  kryhet nga Drejtoria për të Drejtën e Autorit në ministrinë përgjegjëse për të drejtat e autorit.

Aplikimi për regjistrimin e së drejtës së autorit kryhet on-line në portalin “e-Albania”, në shërbimin elektronik “Regjistrimi i së drejtës së autorit”. Aplikimi kryhet nga autori i veprës, trashëgimtari ligjor, përfaqësuesi i autorizuar prej autorit/bashkautorit ose agjencia e administrimit kolektiv. Aplikimi për regjistrimin e të drejtave të autorit shoqërohet me dokumentacionin e domosdoshëm, si më poshtë vijon: Mandatpagesën, e cila është e vlefshme vetëm për një aplikim, nëpërmjet të cilit regjistrohet një numër i caktuar veprash, sipas tarifave të parashikuara në aneksin 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij;

  1. b) Kopjen e veprës on-line në portalin “e-Albania” ose fizikisht, në formë të shkruar ose CD, në protokollin e ministrisë përgjegjëse për të drejtat e autorit;
  2. c) Dokumentin autorizues të përfaqësimit, në rast se kërkesa kryhet nga një përfaqësues;

ç) Dokumentin e dëshmisë së trashëgimisë, në rast se kërkesa kryhet nga trashëgimtari/ët ligjor/ë” thuhet në vendim.

Ky i fundit përcakton se afati maksimla për regjistrimin është 30 ditë përgjatë të cilave janë një sërë pikash që përfshihen si :

  1. a) aplikimi i depozitimin e dokumenteve shoqëruese në portalin “e-Albania”. Përjashtimisht, vetëm dokumentet, të cilat nuk mund të ngarkohen në format elektronik, i dërgohen institucionit në format shkresor (hard copy) brenda 5 (pesë) ditëve nga data e aplikimit;
  2. b) korrigjimin e pasaktësive nga aplikanti, brenda 5 (pesë) ditëve nga kërkesa e Drejtorisë për të Drejtën e Autorit, në rastet kur aplikimi nuk është paraqitur, në përputhje me pikën 6, të këtij vendimi. Në rast të mosplotësimit të pasaktësive brenda këtij afati, aplikimi refuzohet;
  3. c) shqyrtimin e kërkesës në raport me parashikimet e ligjit për të drejtat e autorit brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve. Në rast se vepra që kërkohet të regjistrohet nuk është objekt i mbrojtjes së të drejtës së autorit, aplikimi refuzohet në mënyrë të arsyetuar;

ç) regjistrimin e veprës dhe pajisjen me certifikatë ose refuzimin, sipas shkronjës “c” të kësaj pike, brenda 5 (pesë) ditëve.

Në rast të plotësimit të kushteve ligjore për regjistrimin e së drejtës të autorit, Drejtoria për të Drejtën e Autorit lëshon certifikatën e regjistrimit të së drejtës së autorit. Certifikata e regjistrimit të së drejtës së autorit merret nëpërmjet “e-Albania” me nënshkrim ose vulë elektronike.

VINI RE: Ky material është pronësi inteektuale e Monitor