Vendosni fjalën kyçe....

Shqipëria letërgaranci Londrës – Ekstradimi i të dyshuarve për vrasjen e Ardian Nikulajt, jo burg përjetë


Prokuroria e Lezhës bashkë me Prokurorinë e Përgjithshme dhe Ministrinë e Drejtësisë,  kanë bërë një përpjekje të fundit për të qenë të suksesshëm në ekstradimin nga Anglia të Edmond Haxhisë, bashkë me katër britanikët e tjerë, të dyshuar si të përfshirë në vrasjen e Ardian Nikulajt.

Gazetari i Top Channel Muhamed Veliu, ka siguruar këtë letërgarancinë dërguar gjykatës së Londërës, e cila mban firmën e drejtuesit të prokurorisë Lezhë, Erion Shehaj ku saktësohet lloji akuzës që do të ngrihet për Edmon Haxhinë.

Ai dyshohet sipas kësaj prokurorie, të ketë patur rolin e organizatorit në vrasje, sikurse akuzohet se, është përfshirë në blerjen e motorit, përdorur në vrasje nga Ruben Saraiva më 19 Prill 2023.

 “Lidhur me garancinë pika 4 me të cilën kërkohet garanci për z. Edmond Haxhia se nuk do të akuzohet për veprën penale të parashkruar nga neni 78/A, prokurorët e çështjes shprehen se me qëllim realizimin e  procesit të ekstradimit dhe parashtrimin e çështjes përpara Gjykatës Britanike edhe në përputhje me legjislacionin Britanik, japim garanci/ pëlqim, se nëse do të vendoset ekstradimi i tij, akuza që do të formulohet apo ngrihet ndaj tij, do të jetë e ndryshme nga “vrasje për gjakmarrje”.

Në kodin penal sanksionohet se “vrasja me dashje për gjakmarrje dënohet me burgim jo më pak se tridhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm”. Shefi i akuzës së Lezhës i jep edhe një tjetër garanci gjykatës së ekstradimeve në Londër.

“Akuza nëse ndaj tij do të ushtrohet ndjekje penale do të jetë për një vepër penale ndryshe dhe që sipas legjislacionit shqiptarë mundëson lirimin përpara kohe me kusht”.

Në letërgaranci shpjegohet edhe skenari nëse gjykata nuk do të pajtohet me referimin e çështjes nga prokuroria të akuzës jo “vrasje për gjakmarrje.

Prokuroria e Lezhës garanton apelimin në të gjitha instancat e apelit.

Kjo letërgaranci i jep përgjigje shqetësimit të avokatëve të Edmond Haxhisë, se nëse ai ekstradohet do të dënohet me burg përjetë pa të drejtë aplikimin e lirë me kusht dhe kjo binte ndesh me aktin britanik të ekstradimeve.

Ky shqetësim, ishte karta më e fortë bllokuese e ekstradimit të Edmond Haxhisë e mbështetur me ekspertizë ligjore, dhënë si dëshmi në gjykatën e ekstradimeve në Londër, nga ish-gjyqtari i Shqipërisë në Strasburg Ledi Bianku.

Ky zhvillim me dërgimin e kësaj letre garancie e shton probabilitetin që vendimi gjykatës të Londrës më 30 Korrik,  të jetë në favor të kërkesës së shtetit shqiptarë kërkues i ekstradimit të Edmond Haxhisë, Thomas Mithan, Steven Hunt, Harry Simpson dhe Harriet Bridgeman.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Top Channel