Një shqiptaro-amerikan, minoritar grek, dhe biznesmen i njohur do të jetë kandidati i opozitës për zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen në Himarë më 4 gusht.
Partia e PBDNJ-së dhe OMONOIA, kanë konfirmuar kandidaturën e Petro Gjikurisë, ndërsa emrin e tij janë propozuar PD-së dhe aleatëve të saj që të mbështesin emrin e Gjikurisë.
Në deklaratë shkruhet se në zgjedhjet e pjesshme në Himarë nuk do të varet vetëm fati i drejtimit të Bashkisë për pjesën e mbetur të mandatit, por, sipas tyre, edhe fati i standardeve të zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare të vitit të ardhshëm. OMONOIA, në deklaratën e saj e konsideron si rrëmbim dhe dhunim të vullnetit të sovranit heqjen e mandatit nga KQZ ndaj Fredi Belerit.
Pas zyrtarizmit të emrit të tij, vetë Petro Gjikuria në një postim në rrjetet sociale, ka shprehur objektivat e tij në garën për zgjedhje si kryetar i bashkisë Himarë.
“Kam lindur në Dhërmi dhe vij nga një familje që ka luftuar për dy gjëra të shenjta: për Vendin dhe për Demokracinë. Kam punuar fort në Greqi dhe në SHBA dhe kam mësuar shumë duke punuar në fushën e kulinarisë dhe hotelerisë, por edhe në organizata të ndryshme të diasporës dhe të gjitha këto dije dhe eksperienca dëshiroj t’i vendos në funksion të vendit tim, duke punuar së bashku me bashkëqytetarët e mi për mirëqenien dhe zhvillimin e Himarës në të gjitha fushat.
Në datën 4 gusht nuk votojmë për të zgjedhur Kryeministër, votojmë për Kryetar Bashkie! Votojmë për të nesërmen e Himarës! Jemi të gjithë banorë të Himarës dhe nuk duhet të lejojmë askënd të na përçajë, sado lart qoftë ai. Mbi të gjitha dhe para së gjithash është interesi i zonës! E nesërmja për Bashkinë Himarë ka program, atë që vendosën qytetarët me shumicë votash në maj të vitit të kaluar”, shkruan Gjikuria në rrjetet sociale.