Ish-deputeti i PD, Roland Bejko i ftuar në Report Tv ka folur për situatën në Partinë Demokratike pas vendimit të Apelit që vulën ia kaloi Berishës.
Bejko, i cili ka mbështetur më parë Bashën, tashmë është distancuar nga ai, ndërsa zbulon edhe një bisedë ish-kreun e demokratëve kur i ka premtuar mbështetjen por me disa ‘kushte’. Për emisionin ‘Sot Live në Shqipëri’ me gazetarin Nertil Agalliu, Bejko thotë se u distancua nga Basha, pasi ai nuk i mbajti premtimet.
“I dhashë mbështetje Bashës me kushtin që të shpikte vetveten, i kam thënë nëse je Basha që je në atë dimension siç ishte kur dhe dorëheqjen, që nga shtatori në mars, nuk bëri asnjë betejë, po je i tillë s’të mbështes thash. Më tha do bëjmë betejë çdo ditë ndaj trekëndëshit të Bermudës. Ika se e pashë që se bënte dot, si qëndroi premtimeve që kishte bërë dhe i humbi të gjitha”, tha Bejko për Report Tv.
Ish-deputeti ‘shpërthen’ ndaj Bashës, duke thënë se që nga rikthimi si kryetar e deri në mes të janarit nuk bëri asnjë deklaratë për mediat. Ose është i paaftë ose është i kapur thotë Bejko, ndërsa për Report Tv zbulon se nga partia iu jepeshin direktiva që mos të sulmonin Sali Berishën gjatë daljeve televizive.
Bejko ishte edhe kandidati i PD për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet lokale të 2023, ndërsa thotë se ai bëri betejë, ndërsa Basha rrinte në shtëpi e priste të fitonte luftën me betejën e të tjerëve.
“Unë çdo ditë në televizion, bëje betejën tënde dhe ti rri në shtëpi. Futu pas murit hidh ndonjë gur, e fsheh dorën. Ta bëjnë betejën të tjerët dhe ti të fitosh luftën. Kur shikoja që nuk dilte, se më 30 qershor mori detyrën si kryetar, deri në mes të janarit, s’bëri asnjë konferencë, një kryetar partie që humbet komunikimin publik ose është i paaftë ose është i kapur. Unë isha kundër kësaj strategjie, i thoja që po na çon në humbje. Shkonim ne nëpër studio, muajt e fundit na vinin mesazhe mos sulmoni Saliun. Nga mjedisi i Bashës. Në këto kushte kur na ndajnë pikëpamjet, vizionet normal që do ndahesh”u shpreh Bejko në Report Tv.
Sa i takon Berishës, Bejko shprehet se mori sëpata e hanxhar për të marrë partinë, se e konsideron tokë e ‘xanum’.
Për deputetët që ndjekin ish-kryeministrin, Bejko thotë se ata do ta braktisin Berishën sepse e dinë që me të nuk prodhojnë dot fitore.
“Sali mori sëpata e hanxhar dhe vuri mburojën në kurriz dhe u lëshua ta merrte, se tha më morën pronën. 3 vite PD është endur mes njërit dhe tjetrit, ai e quan të vetën, tokën e xanum. Pse e quan tokë të xanum? Nuk e bëri ai, e bënë studentët e dhjetorit, dhe mbi të gjitha u bë me mbështetjen e SHBA. Meqë qëndroi aq gjatë në pushtet e bëri pronë të vetën. (…) Do ta lënë, s’do e ndjekin dot marrëzisht kur e shohin që me të nuk prodhojnë fitore. Partia i takon Bashës ta përfaqësonte, flas për legalitetin”, vijoi Bejko.