Vendosni fjalën kyçe....

“Rrethi tij e pranon se s’ka asnjë mundësi për rizgjedhje” – Të brendshmit e fushatës Biden japin alarmin


Disa nga aleatët më të afërt të presidentit Biden, përfshirë tre persona që janë të përfshirë drejtpërdrejt në përpjekjet për rizgjedhjen e tij, i thanë NBC Neës se tani i shohin mundësitë e tij për të fituar pranë zeros ndërkohë që gjasat që ai të rrëzojë kandidatët e tjerë demokratë janë në rritje.

“Ai duhet të braktisë garën,” tha një zyrtar i fushatës së Biden.

“Ai kurrë nuk do e marrë veten nga kjo.”

Për dy javë, Biden ka luftuar për të stabilizuar fushatën e tij pas një debati katastrofik në fund të qershorit. Përpjekja e tij e vijueshme për të pasture rrrëmujën, e cila është planifikuar të përfshijë takime private të ndihmësve të lartë me Senatorët demokratë dhe një konferencë shtypi presidenciale të enjten, ka bërë pak për të siguruar ligjvënësit dhe zyrtarët e partisë.

Në vend të kësaj, e kundërta po ndodh.

Grupi i demokratëve që mendojnë se ai duhet të rishqyrtojë vendimin e tij për të qëndruar në garë është rritur duke përfshirë ndihmës, operativë dhe zyrtarë të ngarkuar për të udhëhequr fushatën e tij drejt fitores.

Ata që folën për NBC News thanë se ndjenja se ai duhet të largohej dhe t’ia linte nominimin demokrat dikujt tjetër – me shumë gjasa zëvendëspresidentes Kamala Harris – është e përhapur edhe brenda radhëve të fushatës dhe subjekteve të jashtme demokrate që e mbështesin atë.

“Askush i përfshirë në përpjekje nuk mendon se ai ka një mundësi për të fituar,” tha një person i dytë që punon për ta zgjedhur atë.

Një person i tretë i afërt me fushatën e rizgjedhjes tha se gjendja e tanishme – pyetjet që rrotullohen rreth aftësive njohëse të Bidenit, mungesa e mbledhjes së fondeve dhe më shumë sondazhe që tregojnë se Biden po bie në mbështetje dhe kandidatë të tjerë mund të ecin më mirë = është e paqëndrueshme. Ky person tha gjithashtu se ata nuk e shihnin se si fushata mund të fitonte.

Të gjithë ata folën në kushte anonimiteti sepse nuk duan të shihen si dëmtues të mëtejshëm të një kandidati që e vlerësojnë për fitoren e tij ndaj presidentit të atëhershëm Donald Trump në zgjedhjet e vitit 2020 dhe fitoret e tij politike në Shtëpinë e Bardhë.

Por dy të tjerë të afërt me Biden i thanë NBC News se megjithëse nuk kanë hequr dorë nga të gjitha shpresat për një kthesë, ata e shohin atë si një rezultat gjithnjë e më të pamundur. Dhe ata besojnë se qëllimi për të mposhtur Trump në nëntor duhet të ketë përparësi ndaj mbështetjes së Biden.

“Pyetja për mua dhe shumë prej nesh është: Kush është personi më i mirë për të mposhtur Donald Trump? tha një person tjetër që punon për të zgjedhur Biden.

“Ka shumë prej nesh që janë demokratë të vërtetë që po vënë në dyshim mendimet që kemi pasur për këtë.”

“Dukshëm e rreme”, tha zëdhënësi i fushatës së Biden, TJ Ducklo.

“Ky ekip qëndron me presidentin.”

Në fund të fundit, vendimi i takon Biden-it nëse ai do qëndrojë në garë dhe presidenti ka këmbëngulur këtë javë se ai nuk ka ndërmend të braktisë kandidimin. Por këto burime thonë se Biden ka mbaruar punë – pavarësisht nëse braktis garën para nëntorit apo humbet ndaj Trump në ditën e zgjedhjeve.

Disa orë pasi NBC Neës pyeti ndihmësit e Biden përkëtë  përfundim, kryetarja e fushatës Jen O’Malley Dillon dhe menaxherja e fushatës Julie Chavez Rodriguez i dërguan një memorandum stafit të enjten duke përshkruar pse ata besojnë se presidenti mund të fitojë ende.

“Të dhënat tona të brendshme dhe sondazhet publike tregojnë të njëjtën gjë: kjo mbetet një garë me margjina gabimi në shtetet kyçe të fushëbetejës,” shkruan ata.

“Zhvendosja  që kemi parë, edhe pse e vërtetë, nuk është një ndryshim i madh në gjendjen e garës, ndërsa një pjesë e kësaj zhvendosjeje ishte nga votuesit e pavendosur të Trump, pjesa më e madhe e zhvendosjes u drejtua nga elektoratet historikisht demokrati që kaluan në të pavendosur.”

O’Malley Dillon dhe Chavez Rodriguez thanë se ata ende i shohin Xhorxhian  dhe Arizonën – shtetet që Biden i fitoi në 2020-ën, por ku ai është pas nësondazhe tani – si të fitueshme, së bashku me shtetet e Miçiganit, Uiskonsinit dhe Pensilvanisë.

“Askush nuk po e mohon se debati ishte një kthim prapa”, shkruan ata.

“Por Joe Biden dhe kjo fushatë i kanë kaluar pengesat më parë. Ne jemi të qartë se çfarë duhet të bëjmë për të fituar. Dhe ne do fitojmë duke ecur përpara, të bashkuar si parti, në mënyrë që çdo ditë nga tani deri në ditën e zgjedhjeve të përqendrohemi në mposhtjen e Donald Trump-it.”

Mbrojtësit e Biden kanë vënë në dukje një parashikim për zgjedhjet e vjeshtës që tregon se mundësitë e presidentit për të fituar kanë lëvizur pak pas debatit, duke mbetur në një mundësi 48 në 100 për të fituar. Në mesataren e  sondazhit në fjalë, Biden është pas Trump me 2.1%. 

Por demokratët këtë javë kanë parë ndryshime në sondazhe të tjera që kanë vënë alarmin, duke përfshirë një sondazh të AARP që e tregon Biden që është pas në Uiskonsin, që kishte qenë shteti i tij më i mirë në fushëbetejë.

“Kjo është pika kyçe e të dhënave”, tha një strateg i gjatë i fushatës presidenciale demokrate.

“Ne e kemi këtë hapësirë dhe Shtëpisë së Bardhë po i mbaron koha në dispozicion dhe kjo është diçka egoiste. Ne të gjithë presim që Joe Biden të ngrihet përsëri, por nuk është në një pozicion të mirë për këtë.”

NBC News raportoi të mërkurën se mbledhja e fondeve për fushatën po mbaron pasi donatorët kryesorë demokratë dhe kontribuesit në bazë po mbyllin kuletat e tyre. Në të njëjtën kohë, Trump, i cili do pranojë nominimin republikan javën e ardhshme, ka grumbulluar shuma të mëdha.

Shqetësimi për shumë demokratë është se Biden jo vetëm që do mundet, por do paraqitet aq keq sa do veprojë si një spirancë për ligjvënësit e tjerë.

“Unë shqetësohem se simboli i partisë sonë është personi që kandidon për president dhe se kjo ndikon absolutisht në garat e votimit”, tha një kryetar i partisë që dëshiron që Biden të braktisë fushatën e tij.

Fushata e Biden ka filluar të vlerësojë në heshtje qëndrueshmërinë e kandidaturës së Harris kundër Trump në një sondazh të ri kokë më kokë, tha një burim i njohur me vendimin për NBC Neës.

Ky person tha se kjo po bëhet në kontekstin e “rritjes” së sulmeve të Trump kundër saj, siç bëri në një tubim të fundit në Florida. Sondazhi, i cili do zhvillohet këtë javë, u porosit nga ekipi analitik i fushatës Biden, raportoi fillimisht The Neë York Times.

Më vete, një operativ demokrat vuri në dukje se testimi i qëndrimit të Harris kundër Trump do ishte udhëzues për t’i treguar Bidenit nëse ajo mund të shkonte më mirë, më keq se – ose njësoj si ai në sondazhet e tanishme, gjë që mund të jetë një arsye për ta bërë atë tani.

Por ndërsa më shumë demokratë arrijnë në përfundimin se Biden nuk mund të fitojë dhe nuk duhet të përpiqet, rrethi më i afërt i mbështetësve është ngushtuar deri në pikën që përfshin vetëm anëtarë të familjes dhe disa këshilltarë prej kohësh, sipas dy njerëzve të njohur me diskutimet rreth së ardhmes së fushatës.

Kombinimi i Bidenit që lëkundet publikisht dhe mbështetet në një grup këshilltarësh gjithnjë e më të izoluar privatisht, ka dëmtuar besimin e të brendshëmve demokratë mbi aftësinë e tij për të marrë vendimet më të mira për veten, partinë dhe vendin.

Një ligjvënës demokrat i afërt me Biden tha se megjithëse ai “nuk do e hedhë poshtë kurrë publikisht” presidentin, ai beson se tërheqja e tij do ishte “gjëja e duhur për veten dhe vendin”.

Ky ligjvënës argumentoi se Biden ka ende një mundësi për të mposhtur Trump-n.

Megjithatë, ai tha se trashëgimia e Biden do “shkatërrohet plotësisht” nëse ai përfundon duke humbur dhe duke tërhequr zvarrë kandidatët demokratë. Thirrjet publike që Biden të largohet nga gara, tha ky ligjvënës, janë “kundërprodhuese” sepse e bëjnë presidentin më të prirur të luftojë.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e NBC

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani