Vendosni fjalën kyçe....

Tentoi të kryente vrasje në Berat, ekstradohet nga Kosova 56-vjeçari


Është arrestuar njëri nga tre personat e shpallur në kërkim, pasi në 31 Maj 2023 do të organizonin një vrasje në Berat.

Në prangat e policisë ka rënë shtetasi Kosovar, Hamit Berisha, 56-vjeç.

Ai është arrestuar në qytetin e Prishtinës në Kosovë dhe falë bashkëpunimit të Interpol Tiranës me autoritetet ligjzbatuese në Kosovë, ditën e sotme u finalizua ekstradimi i tij nga Kosova në Shqipëri.

 “Ai kërkohej për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, pasi dyshohet se në maj të vitit 2023, në bashkëpunim me 3 shtetas të tjerë, ka tentuar të vrasë 1 shtetas.  Ngjarja kriminale u parandalua si rezultat i ndërhyrjes së Policisë së Beratit, në kuadër të operacionit “Objektivi”, njoftoi policia.

Hamit Berisha ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi së bashku me shtetasit (ende në kërkim) Ermal Gora, 43-vjeç, nga Tirana dhe të Arli Shehu (i arrestuar) 30-vjeç, banues në Korçë, kishin planifikuar kryerjen e një atentati në qytetin e Beratit, por të gjendur nën presionin e policisë, ata fshehën automjetin në fshatin Moravë. 

Brenda në automjet policia gjeti edhe të gjitha mjetet që do përdoreshin për kryerjen e krimit, ndërkohë që tre autorët duke përfituar nga errësira ishin larguan drejt zonave të pyllëzuara pasi kuptuan se policia ishte vënë në ndjekje të tyre.