Gjykata e Lezhës ka dënuar me burgim të përjetshëm vrasësin me pagesë Dorjan Keqi, i cili ishte vënë nën akuze si bashkëpunëtor në vrasjen e ish-drejtorit të Tensionit të Lartë për Veriun, Saimir Jaku, ngjarje e ndodhur në vitin 2016-të në Rrëshen. 42-vjeçari nga Kruja me banim në Kurbin, u gjet fajtor për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Ashtu si dhe në momentin e arrestimit edhe gjatë gjykimit në themel të çështjes, Dorjan Keqi ka mohuar në vazhdimësi të ketë lidhje me krimin, duke refuzuar që të bëhet dhe bashkëpunëtor i drejtësisë në këmbim të lehtësimit të pozitave penale. Por organi i akuzës përmes provave shkencore arriti të zbardhë ngjarjen pas 7 vitesh nga vrasja e zyrtari të OST në Rrëshen, duke provuar fajësinë për Dorjan Keqin. Hetimet nuk kanë zbuluar financuesin e këtij atentati.
42-vjeçari u arrestua në shtator të vitit 2022, pasi u kap duke drejtuar mjetin pa patente dhe në gjendje të dehur. Nga shenjat e gishtërinjve u zbulua se ai ka marrë pjesë në vrasjen e Saimir Jakut, në bashkëpunim edhe me persona të tjera të cilat nuk janë arritur ende të identifikohen.
Krimi i rëndë ndodhi në muajin shtator të vitit 2016 në një lokal në qytetin e Rrëshenit. Saimir Jaku u qëllua me breshëri plumbash teksa, po pinte kafe bashkë me një person tjetër ku dhe ai mbeti i plagosur në këtë ngjarje.