Vendosni fjalën kyçe....

Analiza e Dinamikës së Popullsisë 2011-2023, bazuar në Cens 2023


Nga Ines Heba*, Eksperte e Statistikave, Assoc. Prof. PhD

 

1) Emigrimi dhe mosha e të larguarve

 

  1. Emigrimi

Sipas të dhënave të fundit të INSTAT, rezultoi se popullsia shqiptare në 18 shtator 2023, është 2.402.113. Në vitin 2011, popullsia ka qenë 2.821.997. Ndryshimi është me 420 mijë banorë në rënie.

  • Për të llogaritur popullsinë që ka emigruar duhet shtuar dhe shtesa natyrore që është diferenca lindje-vdekje.

Në tabelën e mëposhtme jepet shtesa natyrore gjatë dy dekadave 2001-2023:

Po të bëjmë krahasimet midis një dhjetëvjeçari (2002-2011) dhe 12 viteve të mëpasshme, ka një përgjysmim të shtesës natyrore, si pasojë e rënies së lindjeve në mënyrë drastike.

Duke i shtuar ndryshimit të popullsisë prej 420 mijë edhe shtesën natyrore prej 88.443, popullsia që ka emigruar shkon 508.443.

  • Gjithashtu, kësaj shifre duhet t’i shtohen edhe ata emigrantë që janë kthyer, që tregon sesa kanë tentuar të largohen nga Shqipëria gjatë këtyre 12 viteve. Shifra e atyre që janë rikthyer sipas INSTAT, është 108.503 emigrantë për 12 vjet.

Si konkluzion, gjithmonë bazuar në shifrat e INSTAT, janë larguar nga Shqipëria për 12 vjet, 508.443 dhe kanë tentuar të largohen mbi 600 mijë vetë.

 

  1. Mosha e emigrimit

Një analizë tjetër që duhet parë është edhe mosha e të larguarve bazuar në të dhënat e publikuara nga INSTAT. Duke bërë një analizë të hollësishme të grupmoshave me krahasimin e dy regjistrimeve, del që mosha që ka emigruar më shumë është midis 20 dhe 39 vjeç, duke përbërë 54% të largimeve.

Pra, gjatë viteve 2012 – 2023, është larguar mosha më vitale e popullsisë, e cila ka lidhje direkt si me tregun e punës dhe me lindshmërinë që ka rënë në nivele drastike (vendi i dytë në Europë për lindshmëri më të ulët).

Kjo ka bërë që mosha mesatare e popullsisë të shkojë në 42.5 nga 35.3 që ka qenë në Censin e vitit 2011.

 

  1. Përbërja e familjeve

Një faktor tjetër që tregon shpopullimin e Shqipërisë është edhe përbërja e familjeve. Në vitin 2011, pjesa më e madhe e familjeve ishin me 4 anëtarë (23.1%). Ndërkohë që në vitin 2023, pjesa më e madhe e familjeve janë me dy anëtarë, 28.5%.

Kjo tregon që familjet e reja kanë ulur tendencën për të bërë fëmijë ose/dhe në Shqipëri kanë mbetur prindërit pa fëmijët e tyre që kanë emigruar.

 

  1. Banesat dhe përdorimi i tyre

Bazuar te regjistrimi i fundit, 32.9% e banesave janë të pabanuara, ndërsa në 2011 janë të pabanuara 21.7%. Për 12 vjet janë populluar vetëm 16460 banesa, gjë që tregon ndërtimet e pakontrolluara, dhe jo me qëllim strehimin e popullsisë gjatë këtyre viteve.

 

 

2) Rënia e popullsisë nëpër qarqe

Të dhënat e INSTAT për qarqe tregojnë se popullsia jo vetëm ka rënë, por pjesa më e madhe e qarqeve ka një popullsi të moshuar, kryesisht mbi 50 vjeç.

Tabela e mëposhtme, tregon ndryshimin e popullsisë 2011-2023 sipas qarqeve, si dhe përqindjet e ndryshimeve:

Nga tabela konstatohet se:

  1. Vetëm Tirana ka një rritje minimale me 9148 individë që përbëjnë 1.2%.
  2. Të gjitha qarqet e tjera kanë një rritje negative, sidomos qarqet e mëdha: Fier, Elbasan, Shkodër, Korçë, që janë dhe qarqet më të populluara në vend. Në këto qarqe, rritja negative varion nga -47 mijë deri afërsisht –69 mijë.

Kjo hedh poshtë, dhe teorinë 12-vjeçare që njerëzit kanë ardhur drejt Tiranës, duke qenë e dukshme që Tirana ka një rritje minimale. Nga ana tjetër konfirmon, që edhe sipas të dhënave që publikon vetë INSTAT, se njerëzit janë larguar jashtë vendit.

Një e dhënë tjetër, e cila është shumë problematike, është edhe grupmosha e popullsisë nëpër qarqe. Në tabelën e mëposhtme jepet shpërndarja e grupmoshave sipas qarqeve. Megjithëse INSTAT ka nxjerrë vetëm një tabelë të reduktuar, sipas llogaritjeve që kam bërë, kemi këtë shpërndarje sipas grupmoshave:

Pjesa më e madhe e qarqeve e kanë përqindjen e popullsisë mbi mesataren e popullsisë së nxjerrë nga INSTAT (42.5 vjeç). Ajo që bie në sy është që qarku i dytë për nga madhësia, që është Fieri, e ka moshën mesatare mbi 50 vjeç (49.3% e popullsisë).

Një tregues tjetër që popullsia shqiptare është duke u plakur, është që pjesa më e madhe e qarqeve kanë përqindjen më të vogël të popullsisë në moshën 0-14 vjeç. Nga qarqet e mëdha, Vlora ka popullsinë më të vogël në këtë moshë, me 13.04%.

Kjo tregon dhe një herë, që edhe po të bazohemi në këto shifra, Shqipërisë i ka ikur pjesa më vitale e saj.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor