Kandidatët presidencialë në Shtetet e Bashkuara Joe Biden dhe Donald Trump kanë pikëpamje të ndryshme mbi çështjen e imigracionit.
Dallimet e tyre mbi këtë çështje u shfaqën në debatin e tyre të parë presidencial. Pas kufizimit të përkohshëm të kërkesave për azil në kufirin SHBA-Meksikë, Presidenti Biden njoftoi masa mbrojtëse për emigrantët pa dokumente të martuar me shtetas amerikanë.
Ndërsa, siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Aline Barros, zoti Trump thotë se do të nisë dëbimet në shkallë të gjerë, nëse ai i fiton zgjedhjet.
Presidenti amerikan Joe Biden thotë se disa emigrantë pa dokumente të martuar me shtetas amerikanë do të lejohen të aplikojnë për leje qëndrimi të përhershme pa u larguar më parë nga vendi.
“Këto çifte kanë familje, i dërgojnë fëmijët e tyre në kishë dhe në shkollë, paguajnë taksa dhe kanë kontribuar në vendin tonë për dhjetë vjet ose më shumë”, thotë Presidenti Biden.
Lëvizja e zotit Biden pasoi vendimin e tij për pezullim të kërkesave për azil në kufirin SHBA-Meksikë, në rastet kur numri i emigrantëve që e kalojnë kufirin pa autorizim arrin një mesatare ditore prej 2,500 vetash.
“Unë nuk jam i interesuar të bëjë lojë politike me çështjen në kufi ose imigracionin. Unë jam i interesuar për zgjidhjen e këtyre çështjeve“, tha ai.
Vendimi për pezullimin e kërkesave për azil në kufi nuk vlen për viktimat e trafikimit të qenieve njerëzore, imigrantët me urgjenca mjekësore dhe fëmijët e pashoqëruar nga prindërit e tyre.
“Në fillim të mandatit të tij, Presidenti Biden, në përgjithësi kishte qëllime shumë të mira dhe politikat e tij ishin më pro emigrantëve. Por tani jemi në kohën e zgjedhjeve. Pra, tani duket se ka një trysni më të madhe nga grupe të ndryshme votuesish”, thotë Elizabeth Vaquera nga Universiteti George Washington.
Ish Presidenti Trump thotë se plani i zotit Biden për bashkëshortët e qytetarëve amerikanë është “një sulm i drejtpërdrejtë ndaj demokracisë amerikane”.
“Kur të rizgjidhem, plani i paligjshëm i zotit Joe Biden për amnisti do të shkatërrohet dhe do të pezullohet që në ditën e parë të kthimit tim në detyrë”, tha ai.
Zoti Trump premton dëbime në shkallë të gjerë të imigrantëve.
“Nuk kemi zgjidhje. Pak çaste pas inaugurimit tim, ne do të fillojmë operacionin më të madh të dëbimit në Amerikë. Nuk kemi zgjidhje tjetër, sepse kjo nuk është e qëndrueshme”, thotë ai.
“Ai flet për dëbim të miliona njerëzve dhe aktivizimin e Gardës Kombëtare për realizimin e këtij operacioni të grumbullimit të njerëzve në shkallë të gjerë dhe krijimin e kampeve për njerëzit, që do të prisnin për dëbimin nga vendi. Nuk mendoj se Shtetet e Bashkuara kanë kapacitetin për të bërë gjërat për të cilat ai po bën fushatë”, thotë Elizabeth Vaquera nga Universiteti George Washington.
Votuesit amerikanë janë të ndarë mbi çështjen e imigracionit. Sipas një sondazhi të organizatës kërkimore Pew, më shumë se 60 për qind e mbështetësve të zotit Trump e mbështesin një përpjekje kombëtare për të dëbuar emigrantët pa dokumente.
Ky sondazhi tregon se për këtë çështje ka dallime edhe në mesin e votuesve që kanë prirje për të mbështetur demokratët, me 16 për qind që thonë se emigrantët pa dokumente nuk duhet të lejohen të qëndrojnë në vend. Kjo është një rritje me 9 për qind krahasuar mbështetjen që këta votues i dhanë kësaj çështjeje gjatë përballjes Biden-Trump në vitin 2020./VOA