Pishinat e Akuadromit, janë transformuar pas marrjes në administrim nga bashkia e Tiranës.
Gjatë inspektimit, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se pastërtia e ujit dhe siguria janë primare që kjo pishinë të qëndrojë e hapur.
“Jam vërtet entuziast që, pas 20 viteve kur pishinat e Tiranës ishin lënë në harresë nga menaxhimi i keq i privatit, rikthimi në duart e Bashkisë e ka transformuar situatën nga nata në ditë. Ka qenë vërtet një terr i madh dhe një gropë e madhe plehrash e hedhurinash, saqë të vinte turp të identifikoheshe me këtë ambient, ku në fakt shumica prej nesh ka kaluar fëmijërinë, ka mësuar notin e ka pasur ato kujtimet e viteve të para të jetës. Më në fund, për fëmijët e të rinjtë, sot po rikthehet ajo nostalgji, por me një cilësi të këtyre viteve, jo të viteve ’90.
Pastërtia është primare, kështu që edhe ajo pagesë modeste që jepet për pishinat, shkon për higjienën, klorinimin, për dezinfektimin dhe për mbajtjen pastër të ambienteve. Dua të garantoj të gjithë qytetarët që, jo vetëm higjiena e pastërtia që janë primare, por edhe siguria e jetës”, u shpreh Veliaj.
Në varësi të kushteve të motit, kryebashkiaku Veliaj u shpreh se pishinat publike do të vazhdojnë të qëndrojnë hapur deri në fund të tetorit.
Me një çmim ekonomik, ato janë mundësia më e lirë për të gjithë qytetarët e kryeqytetit, që nuk kanë mundësi të shijojnë bregdetin në këto ditë të nxehta vere.