Vatra e zjarrit në Lurë ende aktive, digjen 50 hektarë kullota dhe pyje


Prej tre ditësh, në fshatin “Gurë Lurë” është aktivizuar një vatër zjarri që ka përfshirë sipërfaqe të mëdha me kullota, pemë ahu dhe pisha të rralla.

Pavarësisht ndërhyrjes së efektivëve të shërbimit zjarrfikës të Bashkisë Dibër, të Agjencisë së Zonave të Mbrojtura, të shërbimit pyjor Dibër dhe banorëve të zonës, zjarri nuk është shuar ende. Deri tani, sipas informacioneve nga terreni, zjarri ka përfshirë një sipërfaqe prej 50 hektarësh.

Banorët dhe përfaqësuesit e pushtetit vendor vazhdojnë të bëjnë thirrje për ndihmë nga ajri, pasi zjarri po merr përmasa të frikshme për shkak të erës së fortë dhe temperaturave të larta. Dëmi në ekonominë pyjore të Parkut Kombëtar “Lurë – Mali Dejës” pritet të jetë shumë i madh.