20-vjeçari Thomas Matthew Crooks është identifikuar si person i armatosur me snajper që qëlloi kandidatin republikan për president Donald Trump gjatë një mitingu në Pensilvani, shkruan New York Post.
I riu banues në Bethel Park, Pensilvani qëlloi disa herë ndaj ish-presidentit duke e plagosur në vesh gjatë mitingut në natyrë në Butler, pak jashtë Pittsburghut.
Burimet thanë se Crooks ishte vendosur mbi çatinë e një fabrike më shumë se 130 metra larg skenës kupo fliste Trump. Ai u vra nga snajperët e Shërbimit Sekret pak çaste më pas. Pranë tij është gjetur edhe një pushkë e modelit AR.
Pse Crooks qëlloi mbi kandidatin republikan për president është e paqartë.
Të shtënat e Crooks plagosën Trumpin në veshin e djathtë dhe në mënyrë tragjike i morën jetën një kalimtari të pafajshëm ndërsa plagosën rëndë dy të tjerë.
Pavarësisht kaosit, Trump iu drejtua turmës, duke ngritur në mënyrë sfiduese grushtin e tij.
“Unë u qëllova me një plumb që shpoi pjesën e sipërme të veshit tim të djathtë,” postoi Trump më vonë në Truth Social. Ai e përshkroi momentin, duke kujtuar zhurmën dhe dhimbjen e fortë teksa plumbi i çau lëkurën.
Autoritetet, duke përfshirë FBI-në po hetojnë motivin pas veprimeve të Crooks. Në një konferencë për shtyp, zyrtarët konfirmuan se po i trajtojnë të shtënat si një tentativë për vrasje.
Zyrtarët thanë se është e parakohshme të përcaktohet nëse atentati ishte vepër e një “ujku të vetmuar”.
“Është shumë herët për ta thënë. Ne kemi identifikuar paraprakisht një sulmues, por hetimi ynë vijon. Ne po ndjekim pista të shumta dhe do duhet pak kohë përpara se të mund të përcaktojmë përfundimisht nëse ka pasur vetëm një person të armatosur”, tha Nënkoloneli i policisë së Pensilvanisë George Bevins.
Pyetje të shumta janë ngritur në lidhje me masat e sigurisë në tubim. Pavarësisht se është një ish-president dhe një kandidat i supozuar republikan, masat e Shërbimit Sekret të Trumpit janë dukshëm më të vogla në krahasim me atë të presidentëve në detyrë.
Burimet tregojnë se fushata e Trump kishte kërkuar siguri shtesë, por këto kërkesa nuk u plotësuan plotësisht, duke lënë dobësi të mundshme.
Vendi i hapur në terrenin Butler Farm Shoë ofroi një pamje pothuajse të papenguar për gjuajtësin, duke ngritur shqetësime se si mund të ndodhte një shkelje e tillë e perimetrit të sigurisë. Kryetari i Komitetit të Mbikëqyrjes së Kongresit, James Comer, njoftoi një hetim mbi incidentin, duke kërkuar një rishikim të plotë të protokolleve dhe reagimit të Shërbimit Sekret.
“Lutjet e mia janë për Presidentin Trump dhe viktimat e atentatit në mitingun e sotëm në Pensilvani. Falënderoj anëtarët e guximshëm të Shërbimit Sekret që vunë jetën e tyre në rrezik për të mbrojtur Presidentin Trump dhe për patriotët amerikanë në audiencë që ndihmuan të tjerët që ishin i lënduar”, tha Comer.