Vendosni fjalën kyçe....

“Tragjedi për botën demokratike” – Rama e Begaj dënojnë atentatin ndaj Trumpit


Presidenti Begaj, kryeministri Rama e kreu i Partisë së Lirisë Meta kanë dënuar ashpër atentatin ndaj Donald Trumpit.

Rama e ka quajtur tragjedi për botën demokratike përpjekjen për atentat ndaj ish-presidentit amerikan.

Në një shënim në X ai thekson se shpreson se ngjarja e tmerrshme do bashkojë Amerikën dhe të gjithë njerëzit e botës demokratike kundër të gjitha formave të dhunës.

“Është shqetësuese të jesh dëshmitar se si një kandidat për President të Shteteve të Bashkuara të qëllohet duke folur në një tubim dhe të dëgjosh se një pjesëmarrës ka vdekur me disa të tjerë të plagosur. Kjo është një tragjedi për botën demokratike. Mendimet e mia janë me ish-presidentin Trump dhe familjen e tij. Ne të gjithë shpresojmë se kjo ngjarje e tmerrshme do të bashkojë Amerikën dhe të gjithë njerëzit e botës demokratike kundër të gjitha formave të dhunës”, shprehet Rama në reagimin e tij.

Ndërkohë Kreu i Shtetit Begaj tha se i uron shërim të shpejtë Donald Trump-it ndërsa dënon ashpër sulmin.

“Mësova me keqardhje lajmin e tentativës për vrasjen e Presidentit Donald Trump. I uroj shërim të shpejtë Presidentit Trump dhe ngushëllime të sinqerta për humbjen e jetës së një personi të pafajshëm. E dënojmë ashpër këtë sulm dhe çdo formë të dhunës politike që nuk ka vend në demokraci”, shkruan Begaj.