Vendosni fjalën kyçe....

6 javë më parë u ekstradua me bujë, Artan Hoxha: Italia ka liruar nga burgu “buzëderrin”


Sokol Sinomati i njohur ndryshe me nofkën “buzëderri” është liruar nga autoritetet italiane 6 javë pas ekstradimit me bujë nga Shqipëria.

Gazetari Artan Hoxha shkruan se Sinomati la burgun më 9 korrik 2024 pasi rezultoi se nuk kishte më asnjë dënim me burgim për të vuajtur në Republikën e Italisë.

Sokol Sinomati është babai i 23-vjeçarit Gëzim Sinomati që u ekzekutua me snajper më 7 janar të këtij viti.

Hoxha shkruan se ka pyetur autoritetet shqiptare në lidhje me lirimin e Sinomatit nga autoritetet italiane por ato i janë përgjigjur se nuk janë në dijeni.

Gazetari thotë se lirimin nga drejtësia italiane ja ka konfirmuar vetë Sokol Sinomati i cili i ka thënë se do kthehet në Vlorë pranë familjes.

Postimi i plotë:

Sokol Sinomati, lirohet nga burgu i Viterbos, 6 javë pas ekstradimit ….

Autoritetet italiane kanë liruar nga burgu, në më pak se një muaj e gjysëm pas ekstradimit me bujë nga Shqipëria, Sokol Sinomatin.

Ditën e marte me 9 korrik 2024, 46 vjeçari Sinomati, u lirua nga burgu i Viterbos, pranë Romes.

Sinomati, rezultoi se nuk kishte më asnjë dënim me burgim për të vuajtur në territorin e Republikës së Italisë.

I njohur që nga fëmijëria me nofkën “Buzderri, Sokol Sinomati është babai i 23 vjeçarit Gezim Sinomati, i cili u ekzekutua me snajper në ballkonin e banesës së vet në qytetin e Vlorës.

Atentati tipik mafioz, i realizuar nga vrasës me pagesë në mbrëmjen e 7 janarit 2024, vazhdon të jetë ngjarja më e rëndë kriminale që ka ndodhur gjatë këtij viti.

Pas më shumë se gjashtë muajsh, policia dhe prokuroria nuk kanë ende asnjë të arrestuar në lidhje me këtë ngjarje duke filluar nga ekzekutorët, organizatorët dhe porositësit e atentatit.

Atentati ndodhi vetëm pak ditë pasi Gëzim Sinomati ishte kthyer nga Belgjika, për pushimet e fundvitit në banesën e familjes në Vlore, ndërsa babai i tij, Sokol Sinomati ndodhej në qelitë e burgut të Fushë Krujës duke vuajtur dënimin.

Sokol Sinomati, një emër i rëndësishëm në fundin e viteve ‘90 dhe fillimin e viteve 2000, në qytetin e Vlorës, u lirua vetëm për pak orë nga burgu më 24 prill 2024, duke përfituar falje dënimi nga amnistia penale.

Lirimi i tij vetëm 4 muaj pasi ishte ekzekutuar i biri me snajper, pritej të prishte shumë ekuilibra në qytetin e Vlorës.

Për këtë shkak, policia përdori një vendim dënimi të autoriteteve italiane, për ta arrestuar Sinomatin sërish, pa e lejuar atë, të mbërrinte i lirë në banesën e tij.

Në momentin e arrestimit, Sokol Sinomati ka qenë në shoqërinë e vëllait të tij, Bernard Sinomati.

Policia njoftoi një ditë më pas zyrtarisht se:

“Ekzekutoi vendimin penal për shtetasin Sokol Sinomataj, 46 vjeç, të cilin Gjykata e Milanos, në Itali, e ka dënuar me 12 vjet, 5 muaj e 26 ditë burgim, për veprat penale “Organizata kriminale” dhe “Trafik ilegal i emigrantëve”.

U duk i “çuditshëm” lirimi për pak orë dhe pastaj ri-arrestimi i Sokol Sinomatit, ndërsa dënimi nga drejtësia italiane për të, kishte kohë që qëndronte në arshivën e policisë.

Nisur nga situata kriminale në qytetin e Vlorës, rivaliteti i fortë dhe beteja e ashpër mes grupeve rivale, si dhe nga fakti që po lirohej një personazh mjaft i njohur, vetëm pak kohë pasi i kishin ekzekutuar për hakmarrje të birin, u gjykua se prezenca e Sinomatit në qytetin bregdetar mund të rindiste keqazi konfliktin.

Tre ditë pas arrestimit, më 27 prill, gjykata vendosi një masë sigurie me 40 ditë burg për Sinomatin, në pritje të ardhjes së dosjes së tij nga Italia.

Në fillimin e muajit qershor 2024, 39 ditë pas arrestimit, Sokol Sinomati, u ekstradua drejt Italisë në masa ekstreme sigurie, me idenë se tashmë, ai do të qëndronte dhe një dekade tjetër larg qytetit të tij të lindjes.

Autoritetet italiane, pasi kanë verifikuar vendimin e dhënë nga gjykata e Milanos, në adresë të Sinomatit, kane vendosur të martën e kaluar, ta lirojnë duke e cilësuar të mbyllur dënimin e tij.

Përpjekja për ta mbajtur të izoluar në burg Sokol Sinomatin, tashme ka dështuar. Vlonjati 46 vjeçar është i lirë dhe i motivuar më shumë se kurrë për shkak të vrasjes së djalit të tij.

Autoritetet shqiptare, të pyetura në lidhje me këtë zhvillim, deklaruan se nuk kanë asnjë njoftim për lirimin e Sinomatit, sipas tyre ai nuk ka hyre ende në asnjë pikë të kalimit kufitar në territorin e vendit.

Ndërkohë, në një komunikim direkt me Sokol Sinomatin nëpermjet telefonit, ai deklaroi se;

“Prej të martës së kaluar jam i lirë. Autoritetet italiane konfirmuan se nuk kam asnjë dënim me burg për të kryer.

Më vjen keq për ata qëvu munduan me të gjitha mënyrat, të më mbanin të izoluar në burgjet italiane, por tashme jam i lirë dhe nuk kam asnjë pengese ligjore për t’u kthyer në qytetin tim, pranë familjes sime”.

Sokol Sinomati, shkeli në qytetin e Vlorës vetëm për pak orë, ditën e 9 janarit 2024, për të marrë pjesë në ceremoninë mortore të djalit të tij, i shoqëruar në kushte të larta sigurie nga 100 policë.

Ai u arrestua për herë të fundit jashtë vendit, në vitin 2021 në Belgjikë. Në fund të vitit 2022, u ekstradua në Shqipëri dhe qëndroi në burg deri në fillimin e qershorit të këtij viti, kur u ekstradua drejt Italisë.

*Në foto: Me rreth Sokol Sinomati, gjatë procesit kundër bandës së Gaxhait në gjykatën e Tiranës, viti 1999.